PS do festonte të dielën një ndër përvjetorët e saj, atë të 31-in. Siç dihet, në 12- qershorin e 91-shit, ajo do ndryshonte emrin nga PP në PS, duke trashëguar nga Partia e Punës aspekte logjistike(seli, zyra), asete njerëzore të ndryshme siç elektorat, e hequr atë lloj lidershipi kompromentues, siç byroistët.
Por në kuadër të luftës politike, Berisha nxorri këtë përvjetor të PS-së një dokument, ku sipas tij aty ka një fallsifikim.
“Ja dokumenti! Per fallsifikatoret e historise qe paraqesin nderrimin e emerit si rithemelim!”, shkruan Berisha.
Po kush e ka paraqitur ndërrimin e emrit të PS-së si rithemelim? Ky lloj eufemizmi nuk ka ekzistuar kurrë në narrativën e PS-së, as atëherë kur u ndërrua emri e as më vonë. Thënë ndryshe, është Berisha që e përmend për herë të parë, pa e sqaruar se kujt rasti, ç’kohe apo se cilit i referohet për “rithemelimin” e tij që e sjell si falsifikim historik.
Në kohën e ndërrimit të emrit, si dhe në vetë aktin, ky term, në trajtë eufemizmi politik, nuk ekziston. Pra, as Nano atëherë, as Rama më vonë, nuk e kanë përdorur për rastin në fjalë. Madje ky i fundit i cili vijon të udhëheqë PS-së, as i ka kushtuar ndonjë shkrim apo koment procesit të ndërrimit të emrit nga PP në PS. Madje as vetë Nano në vitet që pasuan. Sepse dhe në vetë kohën kur ka ndodhur nuk ka përbërë ndonjë lajm me peshë. Atë kohë, 30 e kusur vite më parë, termi më i përdorur për rastin ka qenë “reformim”. E përdorte vetë PS-ja në narrativën e saj, e përdorte dhe PD-ja, si një lloj pretendimi politik për pamundësinë që kjo të ndodhte te rivali politik.
Pak vite më vonë, në fushatën e 94-ës për referendumin kushtetues, nën këtë frymë, Berisha do sajonte etiketimin “kriptokomunistë” për rivalin politik, si përçim të bindjes së tij se nuk reformohej dot.
Ndaj, dokumenti që ka nxjerrë Berisha nuk ka asgjë prej fallsifikimi, siç pretendon ai. Ose ose, ngatërron “reformimin” me “rithemelimin”.
Por nëse do kish ekzistuar një “rithemelim” te PS, Berisha s’duhet ta huazonte për veten te PD-ja, pasi kështu del plagjiat politik e ideologjik bashkë. /sarandacity.al/