Presidenti Meta ka reflektuar në një dekorim të “orëve të fundit” një miqësi kurrë të prishur mes tij dhe një socialisti me emër, Anastas Angjeli. Këtë të fundit, Meta e dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
“Pikërisht, për përvojën e gjatë dhe të vyer dhe në vlerësim të kontributit të tij të spikatur akademik, shkencor, studimor e didaktik në fushat e ekonomisë dhe financave publike, dhe si veprimtar i shquar politik e publik në dobi të reformimit bashkëkohor politik dhe zbatimit të ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri, kam vendosur ta dekoroj me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’”, tha Meta në fjalën e tij përpara dhënies së titullit.
Kujtojmë se Angjeli ka qenë dikur ministër në kabinetin Meta, ku në betejën e KPD-së së famshme të 2001-shit mes këtij të fundit dhe Nanos, Angjeli do ishte në shënjestër të mikut tjetër, të atij që i kish ngrënë bukën në shtëpinë e tij në Jermë, kryesocialistit. Muçi-Naçi-Baçi, ishte ironia e njohur e Nanos, duke bërë pjesë të saj dhe Anastas Angjelin, Naçin siç e thërrasin ndryshe. Megjithatë, edhe Naçi më vonë do qe ministër i Nanos, dukë bërë që të jetë në shënjestër të akuzave të Berishës si “mamuth i korrupsionit”.
Anastas Angjeli do e vijonte karrierën politike edhe me Ramën, si deputet por pa post, për t’u tërhequr së fundi pa shumë bujë drejt jetës akademike. /sarandacity.al/