Stili bohemian i arredimit dhe çadrat me thurje po bëhen dita-ditës diçka që haset shpesh në bregdetin shqiptar.
Enriko Brakaj shprehet se biznesi i tij dyvjeçar po njeh rritje të shpejtë, falë turizmit dhe interesit që po tregohet nga tregu vendas për produktet me thurje, gama e të cilave është e gjerë.
Si nisi aktiviteti juaj në këtë lloj biznesi, që nuk është shumë tipik për Shqipërinë?
Erdhi gjithçka në mënyrë të rastësishme. Pas mbarimit të shkollës së mesme po kërkoja një punë.
Në një qytet të vogël si Fieri, mundësitë për një 20-vjeçar pa diplomë e bëjnë të vështirë gjetjen e një pune me të ardhura të mira, që të mundëson jetesë komode.
Kështu që nisa të mendoja për mundësitë që kisha para dhe mora këtë orientim.
Në fillim më dukej më shumë si ëndërr sesa si mundësi për ta realizuar, pasi në vendin tonë, mungojnë lëndët e para, përveç faktit që kam nisur punën në një vit të vështirë siç ishte viti 2020, kur shpërtheu pandemia e COVID-19.
Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj gjatë këtyre tre sezoneve verore që ka qenë në aktivitet?
Po viti 2020, siç e thashë, ishte sfidues pasi kishte shumë kufizime. Avantazh në këtë rast përbën profili i këtij biznesi, që është unik. Në fillim mora oferta për bashkëpunim nga kompani vendase, por edhe të huaja, por gjithë ky interes më bindi se do të ishte më mirë të kisha kompaninë time.
Mosha ime 20 vjeç në atë kohë nuk më ndihmonte shumë, pasi njerëzit ishin skeptikë apo mosbesues nëse mund të përmbushja atë që merrja përsipër.
Edhe produkti që kisha ishte i ri në vend dhe duhej që edhe klientët të kishin guxim për të eksploruar. Ndonjëherë kisha dyshime edhe vetë, nëse ky produkt do të gjente vend në Shqipërinë tonë të vogël.
Cila është gama e produkteve që ju ofroni?
Produktet që ne ofrojmë janë thurje me litar pambuku, por jo vetëm dhe kjo përshtatet me projektin që merret përsipër të realizohet.
Litari me të cilin realizohen çadrat me thurje është 100% pambuk
Është cilësia e këtij litari, si dhe puna handmade (e bërë me dorë) e thurjes me grep, e cila për një çadër kërkon dy ditë ose më shumë punë, që e bëjnë çmimin pak më të lartë sesa çadrat standard që shohim nëpër plazhe.
Gjithsesi, është një çmim më i ulët shitje në raport me tregjet ndërkombëtare.
Në këto tregje, çmimi është trefish më i lartë. Konkretisht ne ofrojmë çadra (produkti më i shitur), divane outdoor, karrige, karrige lëkundëse, hammock (shtrat i varur), tenda.
Projektet më të mëdha që kemi realizuar na kanë marrë 3 muaj kohë.
Bëhet fjalë për projekte çadrash në numër të konsiderueshëm, apo tenda deri në 100 metra katrorë me thurje.
Kush i realizon produktet tuaja, sa të punësuar keni në biznesin tuaj relativisht të ri?
Kemi një numër të madh grash dhe vajzash që bëjnë punët më të veçanta të kompanisë. Janë të zonës dhe kemi një bashkëpunim frytdhënës. Thurja me grep është në thelb të procesit të punës që ato kanë dhe për një zonë si kjo që gjeneron të ardhura të larta.
A përfshin puna juaj vetëm bashkëpunime me vendet e bregdetit apo ka interes edhe në rajone të tjera?
Ky është viti i dytë i një pune intensive dhe shumë projekte kryhen duke pasur parasysh sezonin veror, por puna nis që në dhjetor që të jenë gati sapo nis vera.
Gjithsesi kemi edhe projekte të tjera në zonat jo bregdetare, pasi produktet tona sjellin një stil Bohemian duke zgjeruar mundësitë përtej plazhit dhe rërës.
Janë projekte në bare, restorante, hotele dhe resorte. Kombinimi i litarit me dru po preferohet shumë në arredimet e brendshme.
Kategoria e klientëve që ju shërbejmë janë si të mëdhenj, të cilët kërkojnë deri në 200 çadra deri tek ata më të vegjlit. Këtë sezon kemi disa projekte në realizim për të cilat po presim me padurim të marrim përshtypjet.
Shtrirja e shitjeve është mjaft e gjerë, duke nisur nga Shëngjini, Pogradeci, Tirana, Gjirokastra, Vlora, Saranda e deri në Ksamil. Japim garanci deri në 10 vite për produktet e thurura dhe kjo rrit disi sigurinë e atyre që vendosin të provojnë diçka të re.
Po nga klientë të huaj, a keni marrë shprehje interesi për të bashkëpunuar?
Jemi një kompani relativisht e re dhe shohim që para kemi një sfidë të madhe për të krijuar, për të përmirësuar dhe për të kuptuar kërkesat që ka tregu. Ky është një biznes që kërkon rifreskim dhe duhet të prodhohen koleksione të reja. Mundësia për t’u zgjeruar ekziston.
Por për momentin mendoj se tregu është mjaftueshëm i madh në Shqipëri, si një vend në zhvillim, duke lënë mënjanë ankesat dhe pesimizmin. Jemi të fokusuar te ndjekja e trajnimeve, lexojmë libra të trajnerëve ndërkombëtarë për biznesin për t’u rritur, duke qenë të vetëdijshëm që jemi ende vetëm në fillim.
Po punojmë që të krijojmë një markë dhe një showroom, në mënyrë që të hapim rrugën edhe për tregje më të mëdha.
Pavarësisht këtyre planeve, jam i lumtur që po japim një prekje ndryshe për turizmin në vend, duke sjellë një stil më të veçantë që shpresoj të ketë efekt pozitiv në një sektor ku imazhi dhe estetika kanë rëndësinë e tyre. /Monitor/