Kryepolici Gledis Nano ka shkarkuar të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufirit në Vlorë, si masë e parë ndëshkimore ndaj tragjedisë së djeshme në plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Joneda Avdia humbi jetën nga helikat e një gomoneje, e cila drejtohej nga ish-shefi i Komisariatit në Himarë, Arjan Tase, i cili mbante detyrën e Komandantit të Policimit në Komunitet në Policinë e Elbasanit.
Me urdhër të tij janë shkarkuan nga detyra:
Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë;
Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë;
Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;
Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;
Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;
Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;
Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.
Kjo masë pasohet me një tjetër deklaratë të Policisë, ku thuhet se “Policia e Shtetit i shpreh edhe një herë familjes Avdia, ngushëllimet më të sinqerta, dhe siguron qytetarët se punonjësit e Policisë në të gjithë vendin janë duke punuar me përkushtim dhe sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar paligjshmërinë, ndaj ngjarja shumë e rëndë që ndodhi mesditën e sotme nuk duhet të përbaltë dhe të hedhë poshtë punën e mijëra punonjësve të Policisë në të gjithë vendin”. /sarandacity.al/