Shqipëria është një nga vendet më të vogla të Ballkanit, kufiri i saj perëndimor është deti Adriatik, deti Jon jugperëndimor dhe në lindje ndahet nga vendet fqinje me male.
Ne do të lëmë malet për një sezon tjetër dhe do të shkojmë në bregdet.
Në rreshtat e mëposhtëm do të trajtojmë pushimet verore në Shqipëri, shkruan kështu media boshnjake.
Saranda është një nga destinacionet më të njohura të Rivierës Shqiptare.
Qyteti i vogël port i vendosur midis maleve dhe detit Jon, i rrethuar nga plazhe me rërë, është një destinacion i preferuar për udhëtime ditore nga turistët nga ishulli grek i afërt i Korfuzit, i cili është vetëm 10 kilometra nga Saranda.
Kjo pjesë e globit ka më shumë se 300 ditë me diell në vit.
Nga Bosnja në Sarandë do t’ju duhen 11 orë me makinë.
Një familje me katër anëtarë mund të qëndrojë në një apartament që kushton 50 euro, madje dhe pranë detit.
Ka disa plazhe përgjatë Sarandës ku mund të kaloni kohë, nëse vendosni të qëndroni gjithë ditën në një prej tyre, do të paguani 1500 lekë për një shezlong me çadër. Zgjedhja e plazheve është vërtet e pasur, nga ato me rërë dhe guralecë për fëmijë deri tek ato shkëmbore për ata pak më të rriturit.
Lokalet dhe restorantet shquhen për mirësjellje në shërbim dhe çmimet i kanë të përballueshme, duke nisur që nga kafeja që varion nga 60 deri në 100 lekë. Me çmim të përafërt është dhe akullorja gjithashtu. Lëngjet kushtojnë rreth 150 lekë dhe çmimi i ushqimit është i ngjashëm me atë të Bosnjës. Mund të shkoni në një udhëtim ditor në ishullin e lartpërmendur grek të Korfuzit me traget për 30 euro, ky është çmimi i një bilete vajtje-ardhje.
Rreth 15 minuta nga Saranda ndodhet Ksamili, i veçantë për ujin e tij të kristaltë dhe ngjyrën bruz të detit.
Ky është një vend i vogël me vetëm 3 mijë banorë, ku nuk ke nevojë të përdorësh makinë, pasi përshkohet në këmbë. Aty janë disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë, pra në Ksamil.
Në vitin 2013, media me famë botërore The Guardian e përfshiu Ksamilin në 20 plazhet më të mira evropiane për pushime.
Dalja deri në orët e para të mëngjesit nuk është karakteristikë e Ksamilit, nëse kërkon qetësi dhe pushim familjar, je në rrugën e duhur, për çdo gjë tjetër është Saranda, shkruhet në RadioSarajevo. /sarandacity.al/