Fitorja e Japonisë ndaj Gjermanisë u pasua nga tjetër befasi, ajo e natyrës etike.
Pas asaj çfarë dhanë lojtarët aziatikë në fushë, ishin dhe tifozët ata, japonezë kuptohet, që kanë fituar lëvdata në Katar për një traditë që duket të jetë unike japoneze – pastrimi i stadiumit pasi pjesa tjetër e tifozëve janë larguar.
Në atë që po bëhet një pamje gjithnjë e më e zakonshme, tifozët japonezë qëndruan pas fitores së ekipit të tyre ndaj Gjermanisë të mërkurën për të ndihmuar në pastrimin e stadiumit Khalifa.
Sapo stadiumi filloi të zbrazej, tifozët japonezë mund të shiheshin duke mbledhur qeset e mbeturinave.
“Nuk është e pazakontë për ne”
Edhe pse pamja e tifozëve që qëndrojnë për t’u pastruar mund të jetë një surprizë për shumëkënd, nuk është e pazakontë për japonezët.
“Ajo që ju mendoni se është e veçantë për ne, në fakt nuk është asgjë e veçantë”, tha njëri prej tyre.
“Kur përdorim tualetin, e pastrojmë vetë. Kur dalim nga dhoma, kujdesemi që ajo të jetë e rregullt. Është zakon”, shpjegoi ai. “Nuk mund të largohemi nga vendi pa e pastruar. Është pjesë e edukimit tonë, mësimit tonë të përditshëm”.
Postimet në mediat sociale që shfaqnin tifozët japonezë me qese plehrash filluan të shfaqen në ditët pas hapjes së turneut mes Katarit dhe Ekuadorit në stadiumin Al Bayt të dielën.
Në një postim, një përdorues shprehu tronditje ndaj një tifozi japonez që po pastronte brenda stadiumit Al Bayt shumë kohë pasi turma ishte larguar. Ishte një ndeshje ku nuk lunate kombëtarja japoneze.
Tifozët japonezë kanë kohë që po pastrojnë stadiumet. Edhe humbja nuk i pengon ata nga kjo detyrë e rëndësishme.
“Pastërtia dhe rregullsia, si feja”
Gjatë Kupës së Botës 2018 në Rusi, Japonia humbi ndeshjen kundër Belgjikës në të 16-at.
Tifozët japonezë ishin të zhgënjyer, por kjo nuk i pengoi ata të mblidhnin qeset e tyre të mbeturinave.
Saysuka, e cila foli për Al Jazeera përpara ndeshjes kundër Gjermanisë, tha se ishte e vetëdijshme që njerëzit po i kushtonin vëmendje traditave të tyre, por vuri në dukje se ata nuk po e bënin këtë për publicitet.
“Pastërtia dhe rregullsia janë si një fe për ne në Japoni dhe ne e vlerësojmë atë,” tha ajo, përpara se të hapte çantën e shpinës për të zbuluar një paketë me qese mbeturinash që do t’i përdorte dhe do t’ua shpërndante të tjerëve pas lojës. /sarabdacity.al/