Shqipëria është destinacioni turistik me rimëkëmbjen më të lartë në botë të turizmit pas pandemisë, thotë Organizata Botërore e Turizmit, një agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNWTO). Kështu, vendi ynë, rezulton me një rritje të turistëve me 18% gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me 9 muajt e parë të vitit 2019, vitit para pandemisë. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, që ka klasifikuar performuesit më të mirë mes atyre më të rëndësishmëve sa i përket sektorit, pas Shqipërisë vjen Republika Domenikane, me vetëm 7% rritje të numrit të turistëve, krahasuar me vitin 2019.
Nga ana tjetër, nëse shohim listën e performuesve më të mirë në botë, pra mes të gjithve, jo vetëm mes të mëdhenjve, Shqipëria renditet në vend të dytë, pas Us Virgin Islands, dhe klasifikohet mes vetëm 12 shteteve të botës që këtë vit i kanë tejkaluar shifrat e pandemisë, sa i përket numrit të turistëve që kanë vizituar vendin gjatë periudhës janar-shtator. Pas Shqipërisë, në renditje vijon St.Marteen me 16% rritje të turizmit në terma fluksesh. Vijon më tej Etiopia, Hondurasi, Andorra, Puerto Rico, Republica Domenikane, Curaçao, Kolumbia, El Salvador dhe Islanda. Pra, së bashku me Shqipërinë, këto 12 shtete janë të vetmet që këtë vit kanë tejkaluar plotësisht krizën e shkaktuar nga pandemia në këtë sektor, duke kaluar madje edhe nivelet e vitit 2019-të.
Por, ndërkohë që Shqipëria rezulton si destinacioni i parë në botë mes të mëdhenjve sa i përket rimëkëmbjes nga pandemia, nuk shfaqet aspak në klasifikimin e vendeve me rimëkëmbjen më të lartë të shpenzimeve të turistëve. Madje, Turqia regjistron 36% rritje të shpenzimeve të turistëve këtë vit, krahasuar me vitin 2019-të, ndërkohë që Serbia renditet e para në botë, me 66% rritje. /Scan/