Mohamed Alabbar, emiratasi që do financojë Dubain e Shqipërisë, pra në Durrës, me një port jahtesh aty ku sot është porti i mallrave, shpjegoi se pse vendosi ta bëjë këtë investim gjigand ne Shqipëri dhe jo diku tjetër.
“Që të tregohem i sinqertë, pashë parametrat ekonomike. Nuk do ta zhvilloj një projekt të tillë në Francë, Gjermani apo në Angli. Mendoj se këto ekonomi janë të fryra, mundësitë për biznes janë të vogla, ka një burokraci të gjatë.
Por po të shohësh Shqipërinë, dhe sikurse thashë, ishit vendi i parë apo vendi i dytë për rritjen e turizmit dhe për rritjen ekonomike. Pra, unë po kërkoj një ekonomi që po zhvillohet, e kam negociuar këtë kontratë në këto dy vite dhe çdo vit, më ka treguar se ju po ia dilni më mbanë se çdo vend tjetër”, theksoi ai në një intervistë ekskluzive në Euroneës Albania.
Alabbar u shpreh se vetë ai, por dhe qeveria do të përfitojnë nga investimi, pasi janë partnerë.
“Kemi një sipërfaqe të mjaftueshme ku mund të bëjmë gjëra të duhura. Edhe pa përvojën e nevojshme mund t’ia dalim mbanë, bëjmë gabime, mësojmë prej tyre dhe realizojmë diçka që nuk është reralizuar më parë. Prandaj kur bëhet fjalë për projekte fitimprurëse, apo rentabël, janë ato që fillojnë me një copë letër. Megjithatë, në 28 vitet e fundit, partneriteti që kemi pasur me pronarët, ndonjëherë ata fitojnë dyfishin e asaj që parashikohet të fitonin. Mendoj se do të ishte e drejtë, sepse ndërkohë që fitojmë edhe ne, fiton edhe qeveria, sepse jemi partnerë”, theksoi ai.
Edhe Drejtues i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, Geri Selenica e konsideron një fat të jashtëzakonshëm për Shqipërinë atë që do ndodhë në Durrës.
“Ne merremi me studimet stategjike. Kemi bërë studime shumë serioze. Zhvillimet bregdetare janë potenciali më i madh i ekonomisë shqiptarë, ato mund të gjenerojnë rreth 100 miliardë euro në vit. Për Shqipërinë është një fat i jashtëzakonshëm. Dubai është një nga vendet që më ka çuditur që kur kam shkuar para 20 vitesh.
Personi që e ka bërë këtë, është zoti Alabbar që ka pasur vizionin. Ky është një koncept qyteti modern, që vetëm Singapori e ka. Të njëtin koncept, ai do ta sjellë në Durrës”, theksoi ai. /sarandacity.al/