Pesimizmi për të ardhmen e ekonomisë greke dhe shqetësimet për kostot që lidhen me energjinë dhe nevojat bazë si ushqimi, janë mbizotëruese. Ndërkohë, pothuajse një në dy punonjës të sektorit privat shqetësohen për të ardhmen e vendit të punës për 6 muajt e ardhshëm.
Këto janë disa nga gjetjet e sondazhit të Dhomës së Tregtisë së Athinës, sipas të cilit, 63% e të anketuarve janë pesimistë për ecurinë e ekonomisë greke në muajt në vijim.
Sipas sondazhit të kryer në datat 9-13 nëntor 2022, biznesmenët shfaqen më pak pesimistë, me 58% të shqetësuar për rrjedhën e ekonomisë greke dhe 42% që e shikojnë të ardhmen me optimizëm.
Përqindjet e mësipërme janë përmirësuar në krahasim me sondazhin e mëparshëm të qershorit, ku 72% e biznesmenëve shprehën vlerësime pesimiste për ecurinë e ekonomisë.
Ndërkohë, qëndrueshmëria e biznesit shqetëson 54% të profesionistëve të biznesit.
Inflacioni, dhe si pasojë ulja e të ardhurave të disponueshme, i detyron konsumatorët të kursejnë, kryesisht energjinë, por edhe mallrat e konsumit që nuk janë thelbësore. Ndërkohë, që 21% e konsumatorëve do të kursejnë edhe artikujt bazë si ushqimi.
Për sa i përket “shportës familjare”, nga të gjithë ata që kanë marrë pjesë në sondazh, 54% besojnë se ajo po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa 44% e të anketuarve kanë mendim të kundërt. Përqindjet e biznesmenëve dhe profesionistëve në Athinë po lëvizin në të njëjtat nivele. /scan/