Qytetarja gjithëherë e Sarandës, paçka se e larguar shpejt nga qyteti, për artin e saj të madh, Luiza Xhuvani, ishte e pranishme në një aktivitet në kuadër të përurimit të një muraleje, pikërisht aty ku ajo nisi karrierën skenike, te Qendra Kulturore.
Muralja i kushtohej promovimit të barazisë gjinore, edhe si shprehje e kundërshtimit të dhunës me bazë gjinore.
Aty, Luiza recitoi dhe disa vargje, duke përcjellë një emocion të veçantë.
Veç kësaj, prania e saj ia shtoi këndshmërinë ambientit plot njerëz, plot qytetarë sarandiotë, të cilët rendën të takojnë atë që vitet e fundit ka kaluar sprova të rënda familjare, duke humbur dhe shokun e jetës, regjisorin Gjergj Xhuvani, por që i ka përballuar denjësisht, gjë që u pa dhe në aktivitet, ku përcolli mall e dashuri për shumë bashkëqytetarë që rendën ta takojnë.
Kujtojmë që ajo vijon me intensitet jetën skenike, me role që kërkojnë mjeshtëri, ku ajo mjeshtërisht vijon të interpretojë, edhe si shprehje e një virtyti të lartë njerëzor, për t’i sfiduar denjësisht brengat që të sjellë jeta. /sarandacity.al/