Nga Dhimitris Kiriazis
Uria e madhe i çoi banorët e Athinës në ekstreme çnjerëzore, në situata që s’ishin përsëritur që nga lashtësia. Viktimat e urisë qenë me mijëra, çka dëshmon që sprova që kaloi populli i Athinës ishte e pangjarë, madje edhe për vendet e tjera që u plaçkitën nga forcat e Boshtit. Të dhënat e historianëve, tregojnë që gjermanët dhe italianët plaçkisnin në mënyrë sistematike lëndët e para, ushqimet dhe fuqinë punëtore, në kundërshti me rregullat mbi rekuizimin në vendet e pushtuara, që diktonin parimet ndërkombëtare. Në mentalitetin e nazistëve, grekët qenë një popull që nga ana racore ishte bastarduar përgjatë shekujve dhe që nuk i përkiste racave superiore,ndaj dhe trajtimi i tyre, s’duhej të kishte dallim nga ai i kafshëve.
Jeta në Athinë pas 27 prillit, datës që qyteti iu dorëzua gjermanëve, ndryshoi rrënjësisht. Që në muajt e parë të pushtimit, njerëz të izoluar kërkonin dëshpërimisht një vend strehimi të çfarëdoshëm: ushtarë që s’ktheheshin dot në vendbanimet e tyre, të shpërngulurit e Maqedonisë Lindore e Trakës nga bullgarët (arrinin në 100.000), njerëz të panumërt nga Pireu, që kishin mbetur pa shtëpi pas shkatërrimit të portit nga shpërthimi i aeroplanit luftarak të Anglisë dhe bombardimit të aviacionit gjerman. Inflacioni i shfrenuar (p.sh., në nëntor 1944, dhrahmia aktuale ishte ekuivalente me 50 miliardë dhrahmi të para luftës), që qe rezultat i ekonomisë së shkatërruar, kishte margjinalizuar çdo shkëmbim monetar. Në dhjetor 1941, një lirë e artë kushtonte
961 dhrahmi, në korrik 1943, 1.662.890 dhe në gusht 1944, 2.390.846.153. Në këtë mënyrë mbërritëm në sistemin e tregut të zi, të një sistemi pa asnjë rregull shtetëror, moral dhe shoqëror. Nga prilli 1941 deri në qershor 1942, çmimi i bukës u rrit 89 herë. Vaji në Athinë, ndërkohë që para luftës shitej 44 dhrahmi okaja, në tetor 1941, kishte vajtur 800 dhrahmi dhe në janar 1942, 4500 dhrahmi. Në kulmin e krizës ekonomike, burime të asaj kohe, përmendin që të zotët e shumë shtëpive private këmbenin shtëpitë, për tre teneqe vaji. Përllogaritet, që gjatë kohës së pushtimit 60.000 prona (shtëpi, toka, apartamente) ndërruan shumë duar në Athinë.
Shumat që Greqia u detyrua t’u paguante pushtuesve, ishin nga më të lartat për banor në Europën e pushtuar dhe arritën deri në 113,7% të GDP-s së vendit. Në maj 1941, u sekuestruan gjithë mallrat e rëndësishëm dhe produktet industriale u dërguan në Gjermani. Me ligjin 108/1941 të qeverisë kuislinge Colakoglu, shteti gjerman çlirohej nga çdo detyrim dëmshpërblimi. Vitin pasardhës, me ligjin 1586/1942, Greqia do duhej të dëmshpërblente nënshtetasit gjermanë për dëmtimet e kryera ndaj tyre në tokën greke.
Gati një milion lira të arta, të cilat vinin kryesisht nga komuniteti hebre i Selanikut, u shitën me çmime qesharake në Gjermani, përmes Bankës së Greqisë. Bizneset që refuzonin të qenë bashkëpronarë me gjermanët, u hiqej drejta e biznesit dhe pasuritë e tyre të tundshme dërgoheshin në Gjermani.
Periudha më e ashpër, ishte dimri 1941-1942, për shkak të të ftohtit të madh dhe izolimit anglez, çka e vështirësonte më shumë, lëvizjen e mallrave. Infrastruktura e shkatërruar dhe dëmtimi i rrjetit rrugor, kishin si pasojë shkëputjen e Athinës nga zonat produktive të vendit dhe mallrat e domosdoshme, çka rezultoi që banorët e saj të “mësohen” me pamjen e fëmijëve atrofikë, që rrëmihnin të gjenin ushqim në mbeturina dhe qindra të vdekurve në trotuaret e rrugët e Athinës, që dergjeshin të pakallur. Sipas arkivave të autoriteteve pushtuese, në nëntor 1941, numri i të vdekurve u katërfishua në krahasim me periudhën 1931-1940, ndërsa gjatë muajve janar – mars u gjashtëfishua.
Vetëm në dhjetor numri i të vdekurve arrinte 300-400 në ditë. Sipas të dhënave të Ministrisë Greke të Rimëkëmbjes, gjashtëmujorin e dytë të 1941, lindjet në Athinë arritën në 5400 dhe vdekjet 20.300, domethënë vdiqën 15.000 njerëz më shumë nga ç’ lindën. Në gjashtëmujorin e parë 1942 ndryshimi makabër arriti në 22.500 më tepër të vdekur. Por madje edhe numrat zyrtarë, japin një pamje konservatore dhe jo të plotë të problemit, mbasi vdekjet qëllimisht nuk deklaroheshin zyrtarisht, në mënyrë që tollonet e ushqimit të të vdekurve të përdoreshin nga të afërmit.
/Përktheu: Eleana Zhako – lifo.gr/
I don’t think the title of your article matches the content lol. Just kidding, mainly because I had some doubts after reading the article.