Provokoi debat fakti që nga Ministria e Jashtme u dha lajmi i largimit së shpejti të ambasadores Yuri Kim, atë se me ç’tagër është Tirana zyrtare e jo Uashintoni që duhet të parathotë publikut fundin e misionit të njeriut që përfaqëson SHBA në Shqipëri. Ishte ky një precedent i pandodhur më parë në diplomaci, për të cilin, diplomacia shqiptare nuk dha asnjë shpjegim.
Por nga vetë goja e ambasadores, ka dalë lajmi se ajo do “qëndrojë më gjatë”, një deklaratë me një valencë të lehtë ironie.
“Kam tre vite në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë”, tha Kim.
Në aspektin literal të asaj çfarë ka deklaruar, i bie që ajo të jetë dhe më shumë se tre vjet në rolin e ambasadores në Shqipëri.
Deklarimi i saj vjen orë pasi pati një bisedë me kryeministrin Rama.
Njëherësh, ajo vlerësoi, si gjithnjë, ecurinë e Reformës në Drejtësi.
“Keni vendosur standarde të drejtësisë në Shqipëri, shpresoj që shumë shpejt të përmbushen tre vendet vakante në gjykatën e Lartë.
Shikoni sa larg keni arritur: katër vite më parë në Gjykatën e Lartë ishte vetëm një gjyqtar. Reforma në drejtësi po jep rezultate, por njerëzit kërkojnë më shumë, dhe SHBA mendon njësoj si shqiptarët.
Populli shqiptar si ai amerikan pret me padurim gjykatat e plotësuara që japin drejtësi jo hakmarrje”, tha ajo. /sarandacity.al/