SHBA ka përcjellë një mesazh për autoritetet shqiptare se nuk do lejojë që SPAK të udhëhiqet nga ndonjë “i kapur”.
Dy ditë para caktimit të emrit që do zëvëndësojë Arben Krajën, ambasadorja Yuri Kim e ka bërë të qartë se cilin duan amerikanët në krye të një strukture ku ata kanë investuar direkt, e cila shërbën, sipas tyre, për të përmbysur epokat në drejtësinë e korruptuar apo të kapur shqiptare.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, shkruan së fundi Yuri Kim.
Ajo bën të qartë në vijim se nga buron ky merak amerikan për SPAK-un.
“Reforma në Drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që Reforma në Drejtësi të ecë përpara”, shkruan Kim në Twitter.
Amerikanët vijojnë të mbrojnë një reformë e cila është kontestuar dhe nga zëra të pavarur e jo vetëm nga opozita. /sarandacity.al/