Kreu i ri i SPAK-ut, Altin Dumani, u përbetua ta bëjë dhe më të ashpër luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë prezantimit dhe marrjes së detyrës, ai u shpreh se prokurorët e SPAK-ut duhet të demostrojnë se janë të aftë të procedojnë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij.
“Pas këtyre tre viteve, Prokuroria e Posaçme duhet të kalojë tashmë në një fazë tjetër dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Kemi një prokurori e cila është në funksion të plotë, në përbërjen e së cilës jemi 17 prokurorë, kemi BKH-në funksionale.
Gjithashtu, kemi edhe diçka tjetër pozitive: që kemi fituar eksperiencë në këto tre vite punë.
Duke marrë në konsideratë këto rrethana, inkurajoj dhe nxis secilin prej jush, që të gjithë së bashku, duke punuar në grup si një skuadër e vetme, të demostrojmë se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij”, theksoi ai ndër të tjera, duke lënë të nënkuptuar se nuk do kursehet askush, si nga politika e si nga bota e krimit.
Dumani u zgjodh në krye në SPAK-ut më 16 dhjetor, ku mori 5 vota nga anëtarët e KLP-së. Ndërsa kandidatët e tjerë, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi, morën respektivisht, 4 dhe 1 votë.
“Falënderoj Këshillin e Lartë të Prokurorisë që më dha besimin për të drejtuar SPAK-un në tre vitet e ardhshme. Besimin, që më dha do ta përdor në funksion të ndërtimit të një institucioni të suksesshëm të ndjekjes penale, i aftë për t’u përballur me korrupsionin e çdo niveli dhe krimin e organizuar. Ky besim i dhënë më bën të angazhohem me pasjen e një prokurorie sipas vizionit që unë e paraqita gjatë prezantimit të platformës në KLP”, tha njeriu mbi të cilin nuk ka asnjë lloj paragjykimi, falë integritetit të deritanishëm.
Altin Dumani njihet si “prokurori i pakompromis”. Në vetting, ai detyroi ndërkombëtarin monitorues të shpreh konsideratën e lartë për pastërtinë e figurës së tij në planin moral: jetë modeste, pa asnjë të ardhur të paprovuar ose nën dyshime.
Kujtojmë gjithashtu se ai e nisi karrierën si prokuror pikërisht në Sarandë, këtu e afro 20 vite më parë. /sarandacity.al/