Presidenti Bajram Begaj përcolli konsideratat e tij të një vizite në Finiq, duke thënë se “Minoriteti grek është një urë e rëndësishme që na lidh me Greqinë, ashtu sikundër është një urë e rëndësishme që na lidh me shtetin fqinj edhe prania e komunitetit shqiptar në Greqi”.
Për kreun e shtetit, Finiq, sidomos Parku Arkeologjik, është një resurs i jashtëzakonshëm turizmi.
“Gjatë qëndrimit tim në Finiq, u takova me Kryetarin e Bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço, deputetët e qarkut Anila Denaj dhe Niko Kuri, përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal dhe intelektualë të spikatur të minoritetit grek.
U ndalëm në Parkun Arkeologjik të Finiqit, një pasuri e çmuar jo vetëm për Finiqin, por padyshim për të gjithë Shqipërinë.
Finiqi ka një potencial të jashtëzakonshëm, veçanërisht turistik, që mund të ndihmojë më tej në zhvillimin e zonës. Natyra, historia dhe kultura e Finiqit, duhen shfrytëzuar në mënyrë që të krijohen mundësi zhvillimi të qëndrueshme për të gjithë zonën”, shkruan Presidenti Begaj në faqen e tij në FB. /sarandacity.al/