Kryebashkiaku Gurma vizitoi “Adem Sheme”-n në rikonstruksion, shkollën emërmirë 9-vjeçare të Sarandës, e njohur në vite për sa e sa breza fëmijësh dalë prej aty.
“Vazhdon puna për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare ‘Adem Sheme’ në Sarandë.
Nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle do të studiojnë dhe do të punojnë në mjedise komode dhe të përmirësuara, me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor”, shkruan i pari i qytetit.
Dhe është vërtet lajm i mirë që më në fund “Adem Sheme” rinohet, do ketë shkëlqimin e munguar fizik, si dhe të merituar arsimor.
Por pyetja është “pse tani?”, “pse në këtë kohë?”, pasi arsimi ka një periudhë tremujore pushim ku të jep mundësinë për çdo punë pa cenuar aspak procesin.
Ndoshta duhet të ketë një arsye të fortë “pse tani”, e pathënë nga autoritetet përgjegjëse për rikonstruksion, por ata duhet ta dinë se shumë familjeve me fëmijë aty, në atë shkollë, u kanë cenuar apo kthyer kokëposhtë të gjithë rregullin e deritanishëm menaxhues brendafamiljar, atë që kushtëzohet nga orari i fëmijëve në shkollë. Dhe kjo nuk është një kokëçarje e vogël, pasi bëhet fjalë për një kthesë në mes të sezonit, me nxënës që nga paraditja kalojnë në pasdite, duke impaktuar kaose familjare.
Nuk do ndryshojë gjë kjo, edhe po ta dinë, por gjithsesi është mirë ta dinë; të dinë atë që kur marrin një vendim, sado me interes publik pozitiv, ndodh të shkaktojnë dhe pasoja nëse zgjedhin të punojnë sipas metaforës së lopës që hem e bën qumështin e hem e derdh. /sarandacity.al/