Një rast i paprecedentë është shënuar në Shkodër, qytetin e trazuar nga krimi vitet e fundit, shndërruar gati si Tropoja e fundviteve 90-të e fillimviteve 2000, me vrasje për hakmarrje mes bandash apo familjesh banditeske.
Kështu, Policia e qytetit verior ka çmontuar 21 kamera të vendosura në shtyllat elektrike në rrugë, për të mbledhur informacion, për qëllime kriminale.
Kamerat janë çmontuar nga shtyllat elektrike, në aksin rrugor “5 Heronjtë”, deri në bypassin e Shkodrës, dhe nga “5 Heronjtë”, deri të rrethrrotullimi i Dobraçit.
Sipas policisë, pajisjet ishin vendosur me qëllim mbledhjen e informacionit për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.
21 kamerat ishin të lidhura nëpërmjet celularit. Pesë prej tyre ishin instaluar në vende dhe sheshe publike.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Por tej reagimit policor, fati që krimi, siç e pohon vetë Policia, guxon të vërë kamera vëzhgimi në rrugë, do të thotë se ka kaluar në nivel trë frikshëm trimërimi në Shkodër, ndryshe në “djepin e kulturës”. /sarandacity.al/