2022-shi ishte viti më i mirë historik i turizmit, ku numri i hyrjeve të vizitorëve shënoi tjetër rekord me 7.1 milionë deri në nëntor, duke tejkaluar periudhën e parapandemisë dhe ku etalon ishte 2019-a.
Në 11-mujorin 2022, rritja ishte me 17% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Pavarësisht ecurisë së mirë të vitit 2022, kur Shqipëria u kthye në një destinacion të rëndësishëm për t’u vizituar, falë edhe artikujve në mediat ndërkombëtare apo raportet e institucioneve ndërkombëtare, situata nuk ishte e lehtë në terren.
Sektori i turizmit u përball me një sfidë reale në gjetjen e punonjësve të kualifikuar, e cila po bëhet kryefjalë në çdo sektor. Edhe rritja e kostove e bëri më të vështirë aktivitetin e tyre, të paktën për kontratat me garanci që ishin shitur më herët më lirë. Kjo reduktoi ndjeshëm fitimin e bizneseve turistike.
Arben Çipa, administrator i “SIPA Tours”, do të pohonte se qarkullimi ishte i madh në vitin 2022, por kjo nuk u përkthye në fitim të ngjashëm.
“Nëse nuk do të ishin fenomenet që solli pandemia, rritja e çmimeve dhe lufta Rusi-Ukrainë, mendoj se fitimi do të ishte 30% më i lartë se në 2019-n. Ai ka shkuar te kostot që janë rritur po kaq”, tha Çipa.
Administratori i “FAFA Group”, Fatos Çerenishti, i cili zotëron struktura me kapacitet akomodues të lartë në zonën e Golemit, nënvizon se viti 2022 u përkufizua nga një sjelle kursimtare e vizitorëve, për shkak të rritjes së kostos së jetesës në përgjithësi.
“Shpenzimet mesatare të turistëve jashtë paketave të blera prej tyre shënuan rënie.
Nëse kishim rezervime ‘half board’ (mëngjes dhe darkë) apo të gjitha të përfshira, tendenca ishte që të qëndronin brenda paketave. Rënia e konsumit në restorante dhe bare ishte në 40% këtë vit, në raport me vitin e shkuar”, thekson z. Çerenishti.
Viti 2023, nordikët “braktisin” kontratat me garanci, vijnë spanjollët
Viti 2023, edhe pse në parashikim mbetet pozitiv në shifra, ka disa tendenca që zbehin shkëlqimin që sezoni pati në vitin 2022. Gjithsesi, sipas tur-operatorëve, kjo nuk do të thotë se pritet një vit negativ, rritja do të vazhdojë, por situata do të jetë më sfiduese, sidomos në shërbim.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që nordikët, të cilët prej disa vitesh me kontrata të parapaguara, për vitin 2023 vendosën të mos lidhin të tilla, duke e kaluar në ‘allotment’, pra paguan aq sa sjell.
Vlerësimi i nordikëve për Shqipërinë ra në nivelin 6, gjë që ka detyruar agjencinë “Apollo” që sjell charterat, të kalojë në rezervime standarde dhe jo me parapagim.
Shërbimi nuk është i vetmi që çalon dhe tur-operatorët shqiptarë janë të bindur se rol luan dhe infrastruktura e dobët dhe trafiku. Pikërisht këto duhet të sillen në vëmendje, sipas tyre, në politikat që do të merren për sezonin në vijim.
“Nga ajo që ne shohim ka një rënie të review (përshtypjeve) që ka ardhur nga mungesa e shërbimit apo rënia e cilësisë së tij në strukturat akomoduese. Një tjetër element që ka ndikuar mendoj se është infrastruktura.
Prej disa vitesh, ne i gënjejmë për trafikun, duke u premtuar zgjidhje siç na premtohet nga institucionet, por kjo nuk po zgjidhet. Rruga dytësore në Golem, sidomos, është problem i madh. Duhet menduar për një sistemim të plotë të zonës së Golemit, sepse është plot me inerte, lavazhe, karburante.
Nuk të jep idenë e një destinacioni turistik. Pjesa e hoteleve para është mirë në aspektin estetik, por edhe aty ka zhurma, ndërtime e kantiere të hapur në sezon. Të gjithë këto elemente kanë sjellë që vlerësimi i destinacionit, në këtë rast Shqipërisë, të ishte poshtë nivelit 6 nga pushuesit nordikë”, – pohon Rrahman Kasa, kryetar i Unioni Turistik Shqiptar.
Kur flitet për shërbim të dobët, tur-operatorët nuk i grupojnë të gjithë strukturat në një, pasi ka struktura që ofrojnë standarde shumë të mira, por vlerësimi i Shqipërisë bëhet i unifikuar dhe përpjekja e një hoteli me standarde shuhet nga struktura tjetër që ka marrë përshtypje negative. Teksa lajmi i keq për vitin 2023 është mungesa e kontratave me garanci nga nordikët, kjo duket se balancohet nga hyrja e spanjollëve.
Deri më tani ata janë grupi i ri i konfirmuar në turizmin e organizuar, të cilët do të vijnë si pjesë e ‘Melia’ në Gjirin e Lalëzit.
“Po përpiqemi që të sjellim të organizuar dhe me kontrata garancie tregun francez. Ai spanjoll vjen për herë të parë verën tjetër me ‘Melia’-n që ndodhet në Gjirin e Lalëzit. Do të jenë si fillim tre charter nga Spanja dhe dy nga Portugalia – pesë në javë në total”, shprehet Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar.
Masat për të garantuar ecuri më të mirë
Teksa viti 2022 sapo është mbyllur, përgatitjet për sezonin turistik 2023 kanë nisur prej kohësh në ndarjen e plazheve si dhe ngritjen e vendeve të akostimit për mjetet lundruese.
Por sipas tur-operatorëve, angazhimi i qeverisë duhet të jetë më serioz në destinacionet turistike, duke përmirësuar infrastrukturën dhe pamjen e tyre në tërësi.
“Qeveria e di dhe e pranon që turizmi ka rritje dhe kontribut të madh në ekonomi, ndaj për këtë arsye duhet të angazhohet me seriozisht që të paktën për ato destinacione të konsoliduara, që sjellin të ardhura të sigurta, të bëjë sistemimet e nevojshme.
Për Golemin, si një zonë me rritje të vazhdueshme për turizmin e organizuar, të alokohen fonde, që sistemojnë pamjen e parë të zonës. Le të themi të bëjë një ‘make up’. Të heqë inertet, varrezat e makinave, të krijojë gjelbërimin e hapësirave aty ku ka mundësi. Duhen pak fonde dhe më shumë vullnet që të rritet vlera”, – shprehet kreu i Unionit.
Rruga dytësore në Golem, e cila ka nisur prej kohësh, ka mbetur e papërfunduar dhe nëse nuk nxitohet, ashtu do ta gjejë edhe sezoni veror 2023.
Lidhur me shërbimin më cilësor, tur-operatorët mendojnë se ndoshta ka ardhur momenti që qeveria të aplikojë formulën e disa vendeve të tjera, që turizmin e kanë parësor. Kjo ka të bëjë me një skemë mbështetjeje për punonjësit e sektorit jashtë muajve të sezonit.
“Nëse ne duam të jemi një destinacion turistik me shërbim cilësor, duhet të mbajmë dhe të trajnojmë punonjësit e sektorit. Duhet të zbatojmë skemat e vendeve të tjera për ta ruajtur këtë staf nga largimi, duke e trajtuar si aset.
Vende të tjera, jashtë sezonit turistik, i ofrojnë këtij stafi ndihmë ekonomike. Një pagë, e cila e mbështet atë për nevojat që ka jashtë muajve të sezonit të verës, kur nuk ka një pagesë. Është një formulë e gatshme, e cila ka treguar se funksionon dhe duhet të jetë një bashkëpunim i biznesit me qeverinë, që ta ndajnë bashkë këtë detyrim.
Pavarësisht kostos ekonomike, garanton turizëm më cilësor nga një staf i kualifikuar”, propozon z. Çipa. /Monitor/