Së afërmi, një tjetër emër do përfaqësojë SHBA-në në Tiranë, David J. Kostelancik, pra ambsadori i ri, i cili do zëvëndësojë “të urryerën” nga Foltorja, Yuri Kim. Kësaj të fundit, siç është bërë me dije, i përfundon mandati.
Kostelancik nuk e ka aq të panjohur Shqipërinë, pasi ai ka qenë një herë në Tiranë, duke shërbyer po si diplomat në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.
Aktualisht, ai mban detyrën e Këshilltarit për Politikën e Jashtme të Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.
Gjithashtu, diplomati Kostelancik ka punuar dhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.
I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Michiganit.
Pra, siç mund të vërehet, është një diplomat tejet i kompletuar, misionet e të cilit kanë përfshirë vende apo çështje që lidhen direkt ose indirekt me Shqipërinë.
Ai vjen në Tiranë në një kohë kur Yuri Kim vijon të sulmohet fort nga Berisha dhe rrethi i tij, edhe si një agjente Sorosi, nga fakti se ajo vijon të kujtojë “non grata”-n amerikane ndaj Berishës, duke bërë thirrje që mos shkohet pas tij. /sarandacity.al/