Deputetja opozitare e Sarandës, Ina Zhupa, në Ditën e Holokausit ka kujtuar trashëgiminë hebreje në qytet, me praninë e Sinagogës, si dhe komunitetin hebre të Delvinës, duke shkruar: “Sot, më 27 janar kujtojmë të gjithë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.
Është kjo një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për viktimat e asaj zezone të pashembullt dhe kujtimin e jetëve të shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.
Ne si shqiptarë, në mbarë trojet tona, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebreas dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fënijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.
Si deputete e zonës, unë e kam për nder të vlerësoj trashëgiminë e lashtë hebrease në qytetin e Sarandës, që përfaqësohet nga Sinagoga e famshme, por përkujtoj komunitetin historik hebreas të Delvinës, të çmoj kujtimin e familjeve shqiptare që shpëtuan hebreasit gjatë luftës”.
Por më tej, Zhupa kalon në një tragjedi shqiptare, si për paralelizëm, atë çame, duke mos dalë tej zonës së saj elektorale në ndjeshmëri njerëzore dhe historike.
“Mirëpo viti 1944 shënoi një tragjedi të pashembullt edhe për vëllezërit e motrat tona në Çamëri. Terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1044. Për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.
Ne sot nderojmë edhe kujtimin e atyre qindra pleqve e plakave, grave e fëmijëve që nuk i qëndruan dot dimrit të egër të vitit 1944-1945, skamjes, sëmundjeve dhe vështirësive të tmerrshme të atyre ditëve, dhe që sot prehen në varrezat e Kllogjerit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Shoahs.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë çame.
Dokumenta nga arkiva amerikane për tragjedinë çame ku flitet për 25.000 familje refugjate dhe 10.000 fëmijë”, përfundon deputetja Zhupa. /sarandacity.al/