Nga sot hyn në fuqi harta e re gjyqësore, ku disa Gjykata Apeli në rrethe mbyllen, pasi do jetë vetëm një e tillë në Tiranë.
Për kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami, kjo harte e re synon rritjen e shërbimit për qytetarët.
“Synojmë që të kemi gjykata më të mëdha, të profilizuara me gjyqatarë të mirë që do ndikojë tek cilësia e vendimmarrjes që do ketë impakt tek publiku”, tha Llagami.
Por ndryshe mendojnë avokatët.
“Nga sot për qytetarët do kenë më pak akses në drejtësi, më shumë kosto për të marrë drejtësi”, tha Kreu i Dhomës së Avokatisë Vlorë, Durim Bajramaj.
Nga ana tjetër, Llagami sqaroi se 1868 çështje që e kanë filluar gjykimin në Apelet e rretheve do e vazhdojnë gjykimin atje.
“E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, pra në godinën e Gjykatave të mëparshme të Apeleve”, u shpreh Llagami.
Tashmë pritet të shihet në kohë efekti i kësaj vendimmarrjeje të diskutueshme qeveritare, e cila anashkalon disa kontekste të mprehta sociale. Kjo, duke marrë në konsideratë faktin se jo të gjitha reformat e derisotme kanë qenë të suksesshme, madje mund të thuhet se kanë qenë dështime të dukshme, provuar nga koha. /sarandacity.al/