Pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, më 6 shkurt, shumë qytetarë të këtyre dy vendeve fqinje përfunduan nën rrënoja.
Duke marrë parasysh kushtet e vështira, pluhurin dhe faktin se ata mbijetuan për një kohë të gjatë pa ushqim dhe pije, shumë pyesnin veten se sa kohë mund të ishin të mbijetuarit nën rrënoja.
Kjo çështje është sqaruar nga ekspertë të shumtë të cilët kanë thënë se kjo varet nga faktorë të ndryshëm, transmeton BBC.
Për sa kohë ai mund të mbijetojë ndikohet nga pozicioni i të mbijetuarit në kohën kur ndërtesa u shemb, aksesi i tij në ajër dhe ujë, klima, kushtet e motit, si dhe aftësia fizike e personit.
Edhe pse shumica e të mbijetuarve shpëtohen brenda 24 orëve, këto ditë jemi dëshmitarë të rasteve të mrekullueshme të shpëtimit të të mbijetuarve edhe pas 108 orësh.
Edhe pse teknikisht është e pamundur të parashikosh një tërmet, pozicioni që merr në atë moment është vendimtar për mbijetesën.
Sipas këshillave të ekspertëve, pozicioni më i mirë në këtë moment është i ashtuquajturi “drop, cover and hold”, që do të thotë të biesh në gjunjë, të fshihesh nën tavolinë dhe të qëndrosh në atë pozicion derisa të ndalojë lëkundjet.
“Gjetja e strehës në diçka të sigurt si një tavolinë masive apo tavolinë ngrënieje rrit shanset tuaja për të mbijetuar”, thotë Jetri Regmi, oficer teknik në Programin Botëror të Emergjencave të Shëndetit.
Disponueshmëria e ujit dhe ajrit janë thelbësore për mbijetesën kur e gjeni veten nën rrënoja.
Edhe pse sipas disa vlerësimeve njerëzit mund të mbijetojnë pa ujë nga tre deri në shtatë ditë, në varësi të ashpërsisë së lëndimeve, humbja e gjakut mund ta zvogëlojë këtë numër.
Në momente si ky, aftësia për të vlerësuar lëndimet trupore që kanë ndodhur pas një tërmeti është vendimtare.
Nëse një person pëson një dëmtim në kokë ose lëndime të tjera serioze dhe hapësira e tij e frymëmarrjes është e kufizuar, shanset për të mbijetuar për më shumë se 24 orë janë shumë të ulëta.
Klima e jashtme gjithashtu ka një ndikim të madh në sa gjatë mund të mbijetojnë viktimat.
Sipas ekspertëve, kushtet e dimrit në Turqi e vështirësojnë edhe më shumë situatën, duke qenë se është shumë e lehtë të kesh hipotermi. /sarandacity.al/