Që pas ngjarjeve të vitit të qoftëlargët 1997-të, kjo e hënë për Sarandën shënoi ngjarjen më të rëndë. Një sasi e madhe tritoli, 30 kg siç flitet, instaluar në një hotel në zemër të qytetit, pos që zhbëri tërësisht godinën hoteliere, dëmtoi rëndë biznese rreth e rrotull, njëherësh duke shkaktuar ankth në të gjithë qytetin.
Shpërthimi është dëgjuar deri në Korfuzin fqinj. Por nuk ka qenë tritol ndaj një godine, ka qenë ndaj të gjithë qytetit. Ka ngritur krye në këtë rast plaga e hapur e konflikteve për pronën, por më shumë se kaq, fakti që një pjesë që posedojnë prona e biznese në pjesën më të lakmueshme, nuk njohin e nuk ndjejnë qytet jashtë pronës së tyre. Saranda për ta është prona e tyre, ajo ku bëjnë lek. Kaq. Duke qenë kështu, prej tyre e pëson një qytet i tërë.
Ne nuk kemi arritur ende në të atilla nivele shteti ku të merren në analizë se nga kush posedohen shërbimet hoteliere apo kulinare në vijën e parë, nga ç’lloj njeriu. Sepse i gjithë turizmi, imazhi i tij, varet nga ata. Siç në këtë rast, ku një mosmarrëveshje prone i ka vënë tritolin një qyteti, pa llogaritur atë që mund të kish marrë dhe jetë njerëzish, pasi në orën e shpërthimit lëvizja njerëzore pothuajse ka nisur.
Saranda ka atë turizëm që ka jo për ndonjë meritë të njerëzve të saj, le ta pranojnë këtë të vërtetë; e ka për shkak të një trendi të viteve të fundit në tregun e turizmit, me tendenca globale. Te ne, objektivja sundon mbi subjektiven, ku pra deti, ajo që është e dhuruar nga Zoti, është baza e tërheqjes turistike e jo ndonjë kryevepër e dalë nga dora a mendja njerëzore.
Madje madje, ka një dispropocion të dukshëm, dhe shqetësues, mes resursit turistik natyror, si dhuratë nga Zoti, e njeriut që e posedon apo e menaxhon atë. Bash pse është kështu, ndodh që në kulme turizmi, kur qyteti sa vjen e fiton famë prej plazheve të tij, del dikush që i vë tritolin, pra qytetit.
Dhe imagjinoni, ajo mendje e dorë që ka ideuar e realizuar planin delikuent, deri dhe mizor, pa pikën e ndjeshmërisë dhe për ata dhjetra familje rreth e rrotull, pa keqardhjen minimale se mund të merrte dhe jetë njerëzore, ndoshta posedon apo mund të posedojë shërbime turistike(hotel apo restorant)…me tritol në xhep!. /sarandacity.al/