Gjë e mirë që për tragjedinë turke, atë të një jave më parë me dy lëkundje sizmike gati apokaliptike, me pasojë mijëra të vdekur nën rrënoja, u mbaj një ditë zie në Shqipëri, me vendim qeverie. Gjë e mirë që u krye dhe një ritual lutjeje për jetëhumburit, por ata janë muslimanë e kësisoj duhej të merrej parasysh ritualistika e besimit të tyre, e cila nuk e përmban qiririn.
Më saktë, për jetëhumburin musliman bëhet një lutje me duar hapur nga qielli, ajo klasikja që haset dhe te të krishterët në raste të veçanta, ngjashmërisht me puthitjen e tyre. Dhe, Zotit i drejtohet lutja që t’i ketë në mëshirën e Tij dhe t’i bëjë banorë të Parajsës(Xhenetit). Këtë do këshillonin e këtë do pëlqenin po të kishin gojë e flisnin. Qiriun do e refuzonin, pasi sa ishin në jetë mund të kenë përdorur qiririn si mjet dritëbërës në errësirë(zakonisht kur nuk ka drita), por aspak në ritual besimi. Mirëpo nuk është marrë hiç parasysh, që nga kryeministri që e ndezi një sosh në ballkonin e Kryeministrisë e deri te çdo qeveritar i niveleve të tjera e sigurisht qytetar i thjeshtë.
Nuk po kontestohet qiriri si send ritualistik, i cili gjendet në besimin e krishterë, por zgjedhja e tij pa marrë parasysh fenë e jetëhumburve.
Sigurisht, nuk vihet në dyshim as keqardhja e dashamirësia, por është në diskutim shkujdesja në respektimin e besimit të tjetrit, qoftë dhe i ikur nga kjo botë.
Si mund të bëhej ndryshe, pikërisht në respektim të fesë së jetëhumburve?
Një tubim rreth një hoxhe ku ai mban një fjalim në llojin e ligjërimit fetar mbi ata shpirtëra të ikur nga kjo jetë. Më pas fton pjesëmarrësit që të thonë një “Amin”(ose “Amen”), pas çdo lutjeje të artikuluar nga predikuesi fetar. Tek e fundit, “Amin”-i(ose “Amen”-i), është në dy besimet, meqë të dyja kanë bazë monoteike dhe abrahamike. /sarandacity.al/