Një aksident i rëndë ndodhi në zemër të Tiranës paraditen e kësaj të hëne, te ura e Shallvarëve, kur një autobus urban i Unazës humbi kontrollin dhe u përplas me disa automjete.
Për pasojë, flitet për tre të plagosur deri më tani, të cilët po marrin ndihmë spitalore, si dhe për dhjetra pasagjerë të tronditur dhe traumatizuar.
“Më datë 27.02.2023, rreth orës 11:35, në vendin e quajtur Ura e Tajvanit, një autobus i linjës së Unazës është përplasur me disa automjete.
Si pasojë janë dëmtuar 3 shtetas të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës me stafin mjekësor dhe shërbimet e Policisë”, njofton policia.
Pak më vonë, shefi i qarkullit të Tiranës, Taulant Muka tha se janë 6 persona të plagosur. Ai u shpreh se po kontrollohen shoferët për nivelin e alkoolit.
“Janë 6 të plagosur. Asnjë nga të dëmtuarit nuk ka rrezik për jetën. Nga 6 të dëmtuar, dy janë drejtues mjetesh dhe një drejtues autobusi. Sa më parë të kemi një verdikt do ju bëjmë me dije.
Ka dyshime për shpejtësi por s’mund të japim verdikt final”, tha Muka.
Nga dëshmitë e para thuhet se autobusi ka qenë me shpejtësi.
“Shoferi i autobusit ishte shumë i tronditur”, tha një prej qytetarëve që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Kujtojmë se ky është i disati aksident i autobusëve urbanë në Tiranë, ku veçon ai i rënies në Lanë kohë më parë.
Në disa raste është konstatuar se drejtuesit kanë konsumuar alkool. /sarandacity.al/