Kisha ortodokse greke e Shën Nikollës u dëmtua nga tërmetet që goditën jugun e Turqisë në fillim të muajit dhe pati të njëjtin fat si 151 vjet më parë kur zona u godit nga një tërmet.
Një pjesë e kishës ortodokse greke në Iskenderun u shkatërrua nga tërmetet që goditën Turqinë më 6 shkurt.
Cem Teymur, drejtor i Fondacionit të Kishës Ortodokse Greke, tha se kisha ishte e mbyllur për lutje dhe kujtoi se një fat të ngjashëm pati 151 vjet më parë, kur u hap për besimtarët.
“Ajo filloi të ndërtohej në vitin 1860, u ndërtua dhe pasi u hap, u dëmtua në tërmetin e madh dhe shkatërrues që ndodhi në Hatay në 1872. U rihap për adhurim në 1876”, tha Teymur.
Ai shpreson që dëmi të riparohet shpejt. Siç tha ai, kisha pësoi dëme të rënda më 6 shkurt.
“Fasada e përparme është tërësisht e shkatërruar. Muret në anën lindore dhe perëndimore të pjesës së pasme janë krejtësisht të ndara. Duke qenë se kisha jonë është dëmtuar rëndë, nuk bëhet fjalë për adhurim”, tha Teymur.
Siç tha ai, kjo zonë është goditur nga një fatkeqësi e madhe dhe besimtarët janë ende në tronditje.
“Është një fatkeqësi e madhe. Ne jemi vërtet ende në tronditje. Nuk jam i lumtur që i mbijetova tërmetit sepse vdiqën shumë miq, bashkëqytetarë tanë… Ky është atdheu ynë, ky është qyteti ynë ku ndajmë lumturinë dhe dhimbje. Shpresoj se do të përjetojmë sërish ditë të bukura së bashku”, tha Teymur. /sarandacity.al/