Rajmonda Bulku u rishfaq si “Nëna Shqipëri” në një spot që mëton të provokojë emocione të forta patriotiko-politike për të mbledhur së më shumë njerëz në protestën e radhës së dyshes Berisha-Meta, të premten e 3 marsit.
Ajo, përveçse një aktore e njohur, ka dhe një dimenson politik në jetën e saj: atë të një protagonizmi fragmentar në Lwvizjen Dhjetoriste, duke u vënë në krye të një turme protestuese anti-komuniste te RTSH-ja, e vite më vonë duke u bërë deputete e PD-së, nga 2009-ën në 2013-ën.
Pas rënies nga pushteti të siglës së saj, pa punën e vet në një kuptim të drejtpëdrejtë, me angazhime skenike e po ashtu familjare.
Tashmë që e shohim në një rol të ri politik, me petk artistik, na vijnë në mendje role të saj ku për ironi nuk ka ndonjë sosh të spikatur nëne, e cila do asocionte emocionalisht me këtë të fundit, “Nënës Shqipëri” të variantit Berisha-Meta.
Rolet e nënave, ato të një peshe të madhe emocionale, janë luajtur më së shumti nga dyshja Tinka Kurti-Margarita Xhepa. Ndaj, nëse do kishte qenë për gjetje artistike duhej të ishin angazhuar këto të dyja, meqë janë ende aktive, edhe artistikisht. Nëse do pranonin, sigurisht, pasi të dyja i kanë qëndruar larg politikës.
Veçohet te kjo dyshje: Nëna Pashakoja(Tinka) te “Yjet e netëve të gjata”, një prej roleve më dramatike në kinemanë shqiptare, si dhe nëna zemërcopëtuar e Besos(Margarita) te “Dora e ngrohtë”.
Pra, një nga faktorët se pse monologu i përshpitshëm, apo qarravitës i Rajmonda Bulkut në rolin e “Nënë (së përvuajtur) Shqipëri” nuk ngjit dhe aq artistikisht, është profili i saj aktoresk ku dominon melodrama. Politikisht, efekti do vërehet ditën e protestës.
Në melodramë, Bulku ka kulme aktoreske, duke qenë njëherësh dhe revolucionare. Asaj i atribuohen si meritë dy skenat e para eros në filmin shqiptar – Jona te “Duaje emrin tënd” në një mirazh puthjeje me Ndriçim Xhepën, si dhe te “Vdekja e kalit”, në rolin e bashkëshortes së Agronit, luajtur nga Timo Flloko, në një skenë romantiko-erotike.
Dhe, me këtë profil aktoresk, ajo është “dënuar” të mbetet e re dhe e freskët në role, paçka moshës, duke mos qenë dhe aq adapte për rol të moshës së tretë. E kundërta, te dyshja Kurti-Xhepa, këto dhe në moshë të re kanë luajtur role nënash, madje dhe të përvuajtura.
Kështu që zgjedhja e Rajmona Bulkut për rol nëne të keqtrajtuar dhe zemërpikuar, regjisorialisht është e gabuar.
Krahasimisht, ajo është një lloj Sabrina Ferilli, pra e ngjashme me aktoren e madhe italiane. Dhe Ferrilli, sado moshës së avancuar, rolet s’mund t’i ketë të moshës së tretë, qoftë dhe nëne, pasi është dënuar të jetë limdur për role tipike melodramatike.
Ndërsa Tinka e Margarita në Cine Citta-në e famshme afër nesh, ishte e ndjera Virna Lisi, e lindur për të qenë nënë edhe kur rrezatonte rini. /sarandacity.al/