Grupimi Berisha në PD morri një goditje të rëndë këtë të premte, pasi Gjykata e Apelit iu përgjigj pozitivisht ankimimit të Alibeajt mbi vulën dhe selinë, duke bërë që të zhbëhet vendimi i muajve më parë, ku një vendim gjykate njohu si legjitim Kuvendin e Foltores(kahjen Berisha, duke bërë që ky i fundit të merrte selinë me përkrahës të tij, por jo tërësisht PD-në, pasi Alibeaj, zëvndësues i Bashës së dorëhequr, mbajti grupin parlamentar. Kësisoj, PD ndodhet e ndarë në dy gjysma.
Oerd Bylykbashi nga kahja Berisha, jurist porsi Alibeaj në krahun tjetër, tha se “është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet”, duke i dhënë vetëm interpretim politik e aspak juridik. “Është një vendim i cili haptazi ka thyer çdo rregull që ka vendosur deri më sot legjislatori dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një grupimi që i ka shërbyer Edi Ramës që Shqipëria të mos ketë opozitë”, tha ai.
Gjithsesi, procesi mbi të drejtën mbi vulën e selinë vazhdon.
Indrit Sefa, përfaqësues i PD-së drejtuar nga Alibeaj, tha se Gjykata e Apelit duke pranuar një ankimim e kthen çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë me një tjetër trupë gjykuese.
Por gjithsesi, pas vendimit të Apelit, siç tha Sefa, PD do të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Gjykata e Apelit pranoi ankimin e PD të drejtuar nga Alibeaj duke e kthyer çështjen për rigjykim në shkallën e parë me një tjetër trupë gjykuese, siç kërkuam. Do regjistrohemi nesër ose të hënën në KQZ.
Sipas statutit të PD, të gjitha organet e PD vijojnë të kenë kompetencë. Legjitimiteti i drejtimit të partisë u certifikua sot nga Gjykata e Apelit. PD ka një seli dhe është ajo zyrtarja”, argumentoi ai. /sarandacity.al/