Të paktën 25 projekte janë përzgjedhur si fitues të thirrjes së hapur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas ministrisë, në këtë thirrje ishin 68 aplikime të paraqitura pranë saj të cilat kaluan më pas në vlerësimin e komisionit përzgjedhës të ngarkuar me këtë detyrë.
“Në përfundim të procedurës së përzgjedhjes së projekteve që iu përgjigjën Thirrjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për mbështetje financiare të projekteve në Turizëm, për vitin 2023, bazuar në vlerësimin e detajuar mbi dokumentacionin e dorëzuar, kohëzgjatjen e projektit, fondit për financimin e kërkuar, veprimtarinë e deritanishme të tyre, kontributit në fushën ku operojnë, përputhshmërinë e objektivave me politikat dhe strategjitë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit etj., me propozim të Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve në turizëm, projektet e përzgjedhura janë 25 nga 68 aplikime të paraqitura”, nënvizon ministria.
Projektet e miratuara i përkasin sektorit të turizmit dhe përfshijnë aktivitete të lidhura me çiklizmin, promovimi dhe fuqizimi i infrastrukturës dhe ofertës turistike në Bashkinë Këlcyrë, Rally Albania, aktivitete në disa nga pikat turistike në bregdet, Vjosën, promovimin e disa qyteteve si Përmeti, Vlora.
Ministria shpalli thirrjen për projektet në turizëm në janar të këtij viti ku të interesuarit duhet të plotësonin një sërë dokumentesh dhe kushtesh për të përfituar financim.
Këto projekte në kuadër të zhvillimit të programeve në fushën e turizmit, financohen nga fondi buxhetor i miratuar për vitin kalendarik.
“Për realizimin e projekteve konkurruese turistike, skema e financimit do të mbulojë deri në 50% të kostove të projektit të pranuara e të miratuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Projektet për të cilat kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Financimi nga Buxheti i shtetit nuk mund të jepet më tepër se një herë në vit për të njëjtin subjekt konkurrues.
Shpenzimet e nevojshme për shpërblimin e ekspertëve të pavarur do të mbulohen nga fondi buxhetor i parashikuar për mbështetjen financiare të projekteve turistike” thuhej në dokumentet zyrtare të shpalljes. /Monitor/