Me rastin e 8 Marsit, Arkivi sjell në kujtesë medaljen “Nëna” e jo vetëm që regjimi komunist krijoi në dedikim të gruas.
“Në shenjë falenderimi për përkushtimin e tyre në familje, Këshilli i Ministrave vendosi në vitin 1950 për krijimin e medaljes së ‘Nënës’ (lexo dokumentin).
Medalja e argjentë u akordohej nënave që kishin lindur dhe edukuar 6 fëmijë ‘kur fëmija i vogël ka mbushur moshën e 1 viti dhe të tjerët janë të gjallë ose kanë rënë dëshmorë në Luftën Nacionalçlirimtare’. Ndërsa, medalja e bronztë akordohej në të njëjtat kushte për nënat me 5 fëmijë.
Krahas kësaj medaljeje krijohej edhe Urdhri ‘Lavdi Nënës’, që vizualisht paraqiste një nënë me fëmijën e saj në krahun e majtë, ndërsa me dorën e djathtë mbante flamurin. Urdhri përshkallëzohej në klasin e I-rë, të II-të dhe të III-të, në varësi të numrit të fëmijëve, përkatësisht për nënat me 9, 8 dhe 7 fëmijë.
Bashkëngjitur, një foto nga eskursioni në malin e Dajtit organizuar me rastin e 8 marsit nga Kryesia e Gruas Rajoni nr.3”, shkruan Arkivi Shtetëtor i Shqipërisë. /sarandacity.al/