Qeveria shpalli Vjosën si Park Kombëtar” këtë të hënë, duke iu përgjigjur kështu dhe sentimenteve të mjedisorëve ndërkombëtare që e kishin me merak atë që quhet ndryshe si “lumi i fundit i egër në Europë”. Një prej tyre ishte dhe Leonardi di Capri, i cili kohë më parë do dilte me një mesazh ndërgjegjësues mbi Vjosën.
Për këtë zhvillim, ministrja Kumbaro kumtoi pas mbledhjes së qeverisë, duke thënë: “Kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje deri në 12 727 ha që është gjithë sipërfaqe ujore, bregore, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore, të cilat së bashku me të tre degët e Vjosës, lumi Drino, Bënçë e Shushicë bëjnë atë që sot është parku i parë në Europë, i një lumi të egër siç është lumi i Vjosës”.
Po si u arrit deri këtu?
Kumbaro tha se “është punë e gjatë që kurorëzohet me këtë akt ligjor, është faza e parë kësaj pune që ka filluar që në fund të 2021. Pas fazës së parë të studimit, që kishte të bënte me parkun natyror është punuar ngushtësisht me shoqatat mjedisore, Unionin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, të cilët edhe na certifikuan në samitin e Montrealit të CO15, të biodiversitetit për standardet ndërkombëtare të arritura për të gjithë procesin e studimit, dhe përgatitjes së këtij parku kombëtar”.
Kumbaro theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me një kompani të njohur botërore në SHBA “Patagonia”, e cila, nënvizoi ministrja, “ka qenë bashkudhëtare në këtë udhëtim, për të avancuar pas kësaj jave, me një fazë të dytë me hartimin e planit të menaxhimit, shumë të domosdoshëm dhe masterplanit të zonës”. /sarandacity.al/