Kryeministri Rama është “i pandjeshëm” ndaj arrestimit të një prej kryebashkiakëve të tij nga SPAK, atë të Bulqizës, Lefter Alla.
Por i pari i qeverisë është treguar entuziast për produktin e tij nga Reforma në Drejtësi, SPAK që pret majtas e djathtas.
“Reforma në drejtësi ka nisur të japë fryte domethënëse, nuk është fushë me lule, ka ferrat e gropat e veta.
Në Shqipëri po ndodh ajo që shuma pak kohë më parë askush nuk e imagjinonte. Drejtësia në Shqipëri po godet, njerëz të lidhur me pushtetin apo jo, sic nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi.
Po tregojmë se koha e të paprekshmëve dhe të strehuarëve nën ombrellën e pushtetit ka mbaruar. Jam krenar që në rajon Shqipëria është i vetmi vend që e ka bërë këtë reformë.
Reforma po jep rezultate, natyrish zbatimi ka problemet e veta, por ne nuk i kemi vënë në asnjë moment në diskutim cfarë drejtësia e re vendos.
E kemi bërë të qartë kushdo që ka punë me drejtësinë duhet të marrë avokat. PS e qeveria nuk ofron shërbim avokatie për askënd. Nuk do ketë më zyrtarë të lartë që do kenë lidhje me prokurimet publike”, u shpreh Rama.
Por nga ana tjetër, kreu i mazhorancës ka përgjegjësi për llojin e njerëzve që zgjedh si dhe prirjen e tyre për t’u korruptuar; pra duke i mëshuar parandalimit të së keqes dhe jo thjesht ndëshkimit të saj. Kjo edhe nga fakti se në përceptimin publik, çdo pushtetar lokal është dhe shembëlltyrë e eprorit të tyre lart në qeveri. /sarandacity.al/