Për llogari të një hetimi të nisur nga SPAK për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, është sekuestruar një vilë në zonën e Palasës.
SPAK ka dyshime se vila i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por sipas burimeve, vila rezulton e regjistruar në emër të një personi tjetër.
Arben Ahmetaj është nën akuzë për katër vepra penale: “shpërdorim detyre”, “korrupsion”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Më herët, agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e partneres së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij.
Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në banesën e bashkëjetueses është gjetur një shumë parash cash. Në të njëjtën banesë janë sekuestruar edhe disa kontrata dhe dokumente shkresore.
Kujtojmë se ditë më parë, kryeministri Rama iu përgjigj deklaratave të ish-vartësit të tij, se ai duhet të bëjë kryeministrin e jo gjykatësin, me një frazë të kripur.
“Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama gjatë një komunikimi për gazetarët në përfundim të një mbledhjeje të kryesisë së PS-së.
Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, pa emëruar në ndonjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.
Tashmë gëzon vetëm mandatin e deputetit. Shenjat janë të qarta se koha e ka tij politike si personazh i shumëpushtetshëm ka perënduar. Jo vetëm kaq, po i ngushtohet një lak që mund ta çojë, sipas gjasave, pas hekurave. /sarandacity.al/