Kryeministri Rama shpjegoi fenomenin e ikjeve, që siç tha, nuk është vetëm shqiptar. Është sipas tij global.
“Ishim në Verona për panarin e verës, rajoni më i pasur i Italisë, e gjitha 5 milionë banorë dhe ka 600 mijë ndërmarrje. Kemi pasur një darkë pune me guvernatorin. Shqetësimi kryesor ishte largimi i mjekëve, largimi i specialistëve të nivelit më të lartë.
Pse ikin nga rajoni më i pasur i Italisë? Se ka korrupsion, krim, s’ka shërbime?
Ikin se kjo është koha që jetojmë, ku të gjitha produktet e globalizmit që vijnë nga qendrat me të pasura arrijnë deri në fshatin më të largët të pazhvilluar dhe e ngrenë peshë atë 20-vjeçarin që është aty dhe i thonë hajde.
Njerëzit shkojnë sepse kjo kohë që jetojmë e bën të mundur që aspiratat më të larta të ndiqen duke shkuar në vendin ku janë të ardhurat më të larta. S’ka çelës magjik apo forcë që të përmbysë këto lloj trendesh.
Duhet hap pas hapi të bëjmë progres dhe kjo rritje pagash do ndihmojë shumë por s’do ta frenojë globalizmin dhe s’do frenojë trendet historike të kohës. Kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës për të rritur pagat.
Mund të punojmë hap pas hapi dhe rritja e pagave që po bëjmë do të ndihmojë, por nuk do i frenojë këto trende. Askush nuk flet për ata që kthehen. Në vitin 2022 kemi pasur një numër të lartë të atyre që kthehen. Sigurisht nuk krahasohet me ikjen, por duhet të ulemi e të punojmë”, arsyetoi i pari i qeverisjes. Komentet e tij u bënë gjatë një konference shtypi me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas.
Ishte pikërisht ky i fundit që e ngriti si shqetësim, për t’u pasuar nga përgjigjja e mësipërme e Ramës.
“Jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria, por bashkë mendojmë se mund të krijojmë përmirësime të mbrojtjes sociale, shëndetësinë apo edhe për rindërtimin e spitaleve. Çështja e emigracionit është komplekse, po pagat janë një pjesë e rëndësishme.
Po kështu kur flasim me njerëzit sidomos të rinjtë, nuk është vetëm çështja e pagave, por çështja për të pasur jo vetëm një punë të mirë, por edhe një punë për të krijuar perspektive. Sa për emigracionin duhet të mundësojmë sektorin privat për të qenë më aktiv në vend. Ka më shumë potencial për të sjellë në vend investime e mundësi”, theksoi ai. /sarandacity.al/