Kryeministri Rama shpalli një rritje pagash brenda një viti, duke kumtuar me shifra se paga mesatare nga 563 euro që është sot shkon në 900 euro.
“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave. Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e një viti paga mesatare do të shkojë nga 563 euro në 900 euro.
Është e rëndësishme për ne që të konstatojmë se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë. Ia kemi dalë t’u rezistojmë plagëve dhe problemeve të rënda”, tha Rama, duke vijuar:
“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’u them specialistëve më të ulët se paga e tyre do të shkojë 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm që do të shkojë mbi 100 mijë lekë apo në arsimin e ulët që do të shkojë deri në 90 mijë. Këto janë shifra bazë dhe më pas vitet e eksperiencës dhe kualifikimet do të kenë ndikimet e tyre. Një rritje do të ketë për pedagogët me 20%, me një diskrecion që mund të shkojë deri në 30%.
Kënaqësi t’u them infermierëve që do të marrin 87 mijë lekë si bazë. Janë rritur pagat për FA dhe do të vijojmë t’i rrisim. Janë rritur pagat për zjarrfikësit, të cilat do t’i çojmë deri në 80 mijë lekë. Kjo do të bëhet në dy hapa: një hap do të bëhet tani me mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe hapi tjetër do të jetë vitin e ardhshëm, kur do të bëjmë plotësimin e reformave të pagave dhe do arrijmë në 900 euro pagë mesatare”, tha Rama.
“Ky është rezultat i përgjithshëm i përpjekjeve, reformave, punëve të bëra”, shtoi ai. /sarandacity.al/