Në pikën e kalimit kufitar Kakavijë është inauguruar Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, Greqi-Shqipëri.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila dhe zëvendësministri për Mbrojtjen e Qytetarit të Republikës Helene të Greqisë, Elefterios Ikonomou.
Në një prononcim për shtyp, në territorin grek, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, pas ceremonisë së inaugurimit të Qendrës zëvendësministri Mahila tha se, “kjo qendër konsiston në shërbimin e informacionit për të luftuar fenomene, të cilat janë të përbashkët, siç janë krimet dhe veprimtaritë e paligjshme në fushën e rendit dhe doganave dhe jo vetëm në Kakavijë, por të gjithë vijën kufitare që ndajmë me Greqinë”.
Ai shtoi se, një vlerë tjetër e madhe e kësaj qendre është që nënshkruhet dhe funksionon në një vend të BE-së.
“Shqipëria ka qendra të përbashkëta me të gjitha vendet e tjera kufitare dhe kjo është e para me një vend të BE-së dhe pritshmëritë tona janë shumë të mëdha për efikasitetin dhe për rezultatin që do të ketë”, tha zv.ministri i Brendshëm.
Mahila theksoi se, “me Greqinë kemi fluks shumë të madh lëvizjesh si të qytetarëve, por edhe mallrave dhe kjo qendër lindi si nevojë e bashkëpunimit të nivelit shumë të mirë mes dy vendeve dhe që vijon të përmirësohet në vazhdimësi”.
“Një nga objektivat e kësaj qendre është që të ndihmojë akoma më shumë dhe të ndikojë në aspektin procedural për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mjeteve. Kjo qendër realizon atë filozofi që ka qeveria jonë me kufij të hapur por të sigurt”, përfundoi ai.
Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të ketë si qëllim shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, me synim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Në këtë qendër do të punojnë punonjës të Policisë Kufitare shqiptare dhe të asaj greke.
Gjatë ceremonisë, zëvendësministrat Mahila dhe Ikonomou theksuan rëndësinë e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit mes dy policive dhe autoriteteve doganore, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të traditës së vendosur vitin e kaluar, për krijimin sa më shumë të lehtësirave ligjore për qytetarët që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë në këtë bashkëpunim merr parandalimi dhe goditja e krimeve ndërkufitare, kryesisht trafikimi i lëndëve narkotike dhe kontrabanda e mallrave.
Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor Kakavijë do të mundësojë mbledhjen e informacionit dhe shkëmbimin e tij në kohë reale mes dy policive, eliminimin e disa procedurave që krijonin vonesa dhe rritjen e mundësive për të evidentuar, parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare.
Hapja e kësaj qendre tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e të dyja qeverive për të luftuar bashkërisht krimet ndërkufitare dhe për t’iu ofruar qytetarëve, një shërbim sa më cilësor. /atsh/