Emine Duro është 60 vjeç dhe punon si “qene” – siç thotë populli në të tilla raste. Ama nga shtëpia këto kohë.
Punon e gjendur mes dhjetra e qindra këpucëve: burrash, grash, fëmijësh, për t`i riparuar, për t`i bërë të volitshme për t`u mbajtur në këmbë, prej një çarrje diku e prej tabani të rrjepur që fut ujë; ashtu, me mastiç ndër duar, çekiç e gozhdë, pe e gjilpërë, sipas rastit pra. Ka punuar dhe më shumë, në atë kohë kur kishte takat e kur veç riparimeve, prodhonte dhe parreshtur, sipas porosisë.
Po shkruajmë pra, për rastin e rrallë të një këpucareje femër, që nuk dihet nëse gjendet diku në botë, e sa për Shqipëri Emineja thotë se nuk beson të ketë të dytë si ajo. Nuk beson të ketë të dytë pra këpucare femër, pasi një trill jete e çoi që ta merrte e perfeksiononte atë lloj zanati burrash, që me gratë i lidh vetëm dëshira për të llapur shumë e u marrë me thashetheme, teksa duke marrë e dhënë me ndonjë këpucë ndër duar, herë fishkëllejnë ndonjë motiv pa lidhje, e herë marrin nëpër gojë dynjanë, si shprehi e faktit që u rri gjithnjë ora 12. Emineja nuk është nga ato.
Vuan shumë një të kaluar të afërt e të largët, kur burri i saj, pikërisht ai që e zotëronte profesionin e këpucarit, iu ligështua nga një sëmundje aty nga `97 e i zuri shtratin për vite me rradhë derisa ndërroi jetë; atëbotë, edhe bashkëpronar me një italian i një fabrike këpucësh në Sarandë. Ndërsa Emineja, nga një tapiciere me nam, u detyrua që t`i futet këpucarisë, për t`u bërë vetë grua e vetë burrë, pas asaj kthese të beftë të fatit të jetës.
E ja tani, po i afrohet muzgut të jetës, pa iu ndarë këpucëve që e rrethojnë, në pritje për t`u marrë prej saj e sjellë në terezi. Kështu që, kujt mund t`i bijë rruga nga Saranda, veç nevojës për të rregulluar çka në këmbë, sipas rastit e stinës, le të njihet dhe me të rrallën këpucare grua, Emine Duron, që mes tipareve të një moshe të thyer në prag, ruan ende nurin e dikurshëm të një vajze nga Çamëria… /sarandacity.al/