PD zyrtare, atë që njeh dhe SHBA e përgjithësisht Perëndimi i ndarë nga Berisha, hapi fushatën elektorale me figurën simbol një lazaratas, Roland Bejkon si kandidat për Tiranën.
Kryetari i komanduar pas dorëheqjes së Bashës, Enkelejd Alibeaj, i mëshoi në fjalën e tij pikërisht “non grata”-s amerikano-britanike ndaj Berishës, duke u kujtuar demokratëve të rreshtuar krah Foltores se janë pa ta ardhme në pozicionin që kanë zgjedhur, në kundërshtim të aleatit kryesor të Shqipërisë. Dhe paradoksalisht, duke e quajtur “mafioz” Ramën, në stilin e Berishës, Alibeaj sulmoi Berishën.
“Sot kjo parti është nën agresion, PS me në krye një kryeministër mafioz bashkë me ish-kryetarin tonë të shpallur ‘non grata’ nga aleati ynë më i madh, është një minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur”, pretendoi Alibeaj.
Po ashtu dhe Bejko, theksin e vuri te Berisha, duke kujtuar puthadorjen nga ky i fundit i Ilir Metës.
“Kur pranova të kandidoj, pranova sepse unë nuk jam kursyer në asnjë moment. Jam një prej demokratëve të thjeshtë që kanë luftuar për Partinë Demokratike dhe nuk kanë përfituar kurrë prej saj. Së dyti, si mund të lejonim ne që Tirana të udhëhiqej nga një ‘non grata’, i shpallur si i tillë nga Amerika për korrupsion, si mund të lejonim ne që demokratët të binin në dorën e Ilir Metës”, tha Roland Bejko, fituar peshë politike nga kriza në PD prej pozicionimit të ashpër kundër Berishës. /sarandacity.al/