Greqia po bëhet gati për zgjedhjet e reja parlamentare që mbahen pas 1 muaji, më 21 maj. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i dorëzoi formalisht këtë të shtunë në zyrën e saj Presidentes Katerina Saqelaropulu, kërkesën për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në këtë datë. Presidentja pranoi kërkesën, ndërsa në ditët në vijim pritet edhe nisja zyrtare e fushatës elektorale.
Sondazhet parashikojnë që Demokracia e Re e Mitsotakis të fitojë sërish shumicën parlamentare, por gjasat janë të mëdha që ata të mos e arrijnë kuotën e 151 deputetëve për të formuar të vetëm qeverinë.
Në zgjedhjet e 4 viteve më parë, demokratët e Mitsotakis morën 5 deputetë më shumë mbi këtë kuotë, por aksidenti tragjik hekurudhor i 28 shkurtit në Tempi që i mori jetën 57 personave, i konsideruar si më i rëndi në historinë e vendit, e ka ulur ndjeshëm mbështetjen popullore për ta.
Analistët thonë se Mitsotakisit do t’i duhet të bëjë koalicion me Syrizën e majtë që pritet të renditet e dyta, ose me PASOK-un që parashikohet në vendin e tretë.
Më shumë gjasa ka që këto dy parti të bëjnë koalicion qeverisës me njëra-tjetrën, nëse mandati për formimin e qeverisë i kalon njërës prej tyre.
Të dyja kanë paralajmëruar se nuk do të bashkëpunojnë me Demokracinë e Re. Nëse negociatat dështojnë, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në korrik. /sarandacity.al/