Teksa turizmi avancon në Sarandë, duke provokuar zhvillim shumëplanësh, në pikëpyetje është e ardhmja e fshatrave të Finiqit, ndryshe të minoritetit grek, të cilat edhe pse aspak të humbura, edhe pse disa të largëta, gjithsesi jo më shumë se dy orë larg Sarandës, mbeten tërheqëse dhe jo gërmadhë. Tërheqëse për pozicionet natyrore ku ndodhen, si dhe për faktin se shumë prej tyre kanë shtëpi të rindërtuara dhe plot shkëlqim së jashtmi.
Por mos shkojmë larg, të ndalemi në Finiq. Aty, nga vilat deri dhe tre apo katër katëshe, ngrihet një pikëpyetje: cila do jetë e ardhmja e tyre?
Sepse nuk është fjala për shtëpi të rrënuara e të braktisura, por për vila të mirëndërtuara dhe thjesht të mbyllura.
Ndërtimi i tyre i përket një kohë kur s’ish turizmi që është sot, që me gjasë do shtrijë kërkesat akomoduese dhe pa detin pranë apo përpara; ishin të një kohe me shumë të ardhura në minoritet, nga remitancat dhe pensionet greke, ku ende ekzistonin lidhjet e forta familjare. Tashmë, me kohën që ecën, familjet po zhbëhen, pasi një brez po ikën, disa dhe trishtueshëm duke u shuar në vetmi, ndonëse me 5 a 6 fëmijë në Greqi, ku asnjë prej tyre nuk zgjedh të jetojë me prindërit në pleqëri. Kjo po ndikon dhe te pakësimi i mundësisë që në ato vila një ditë të jetojë dikush. Gjersa nuk janë më apo nuk do jenë plaku a plaka për të frymëuar aty, kush do jetë?
Pasaradhësit e tyre, më saktë fëmijët, tashmë me familje përkatëse dhe të lidhur pasgjidhshmërisht me Greqinë, vështirë t’i popullojnë një ditë si banorë të rregullt ato vila. Madje dhe ata fëmijë që po rriten në minoritet, Greqia i pret në atë fazë jete që vjen shkollimi final e më pas angazhimi profesional.
Ky është konteksti aktual, gati i paparashikueshëm i së nesërmes. Nisur nga përvojat botërore të kthesave të befta në zhvillim, vetëm një e tillë, tunduese, joshëse dhe e parezistueshme, mund të që bëjë që minoritarët në Greqi të llogarisin një kthim të mundshëm në vilat e tyre pompoze e të bollshme në Shqipëri, për t’i banuar rregullisht ato. Kjo, edhe nëse do kishte investime të fuqishme infrastrukturore. Kjo duket në fshatrat e Vurgut apo Livadhjasë, si dhe në Finiq-fshat e rreth e rrotull, ku jo vetëm rrugët janë të shtruara, por dhe ndriçimi natën është aq rrëzëllitës sa të bën të mendosh se aty vlon jeta.
Ç’mbetet atëherë? Ndoshta një mrekulli ekonomike ende e paparashikueshme ose një dyndje të huajsh për t’u bërë qeraxhinj të atyre vilave. Por a do ishin minoritarët të gatshëm t’jua jepnin teksa kurrë s’e kanë çuar nëpër mend se aty mund të jetojë dikush tjetër veç tyre?! Ja që koha dhe kontekstet e reja janë të pamëshirshme: mund të çojnë në gjëra që s’janë çuar nëpër mend. /sarandacity.al/