Media shqiptare vijon të raportojë këtë fushatë elektorale krejt në mënyrë tradicionale, pa marrë parasysh një kontekst krejt tjetër nga fushatat e tjera lënë pas, e cila dikton tjetër qasje, tjetër debat: para se të flitet për programet a premtimet, duhet të trajtohet pozicioni i kandidatëve të kampit Berisha, madje pa patur as siglën e PD-së, e cila gjithsesi do ishte një ndihmëtare politike, si produkte “non grata”. Kjo, jo nga mazhoranca qeverisëse, kundërshtari i tyre klasik, por nga aleati kryesor gjeopolitik SHBA. Dhe kur thuhet SHBA, ke thënë Perëndim, gjersa për klasifikimin amerikan që i është bërë Berishës, i cili është pasuar dhe nga Britania e Madhe, BE nuk ka shfaqur ndonjë kontestim apo kundërshtim. Kësisoj, edhe BE po ndjek një direktivë amerikane, gjersa dhe ajo ka shfaqur qartazi një tendencë izoluese ndaj Berishës dhe çdo figure që e pason atë.
Ishte deputetja Ina Zhupa që “padashur” e ka ngacmuar këtë çështje, së fundi në një intervistë televizive, kur përmendi mungesën e një debati mes kandidatësh, si dhe atë që kryebashkiakët e mundshëm të Berishës, në kampin e së cilës bën pjesë dhe ajo, do ishin të aftë për marrje fondesh nga BE-ja(!!!). Pikërisht këtu është pikëpyetja më e madhe, në fakt me një përgjigje mjaft të qartë: nuk do munden të marrin asnjë fond! Pra, si produkte “non grata”, ata janë të privuar për çdo aplikim në burime të ndryshme fondesh në Perëndim. Pra, ky është debati i vërtetë i këtyre zgjedhjeve: si do qeverisin lokalisht nën një mosnjohje amerikane, e cila do ketë efekte të qarta në mosmbështetje financiare për projekte të ndryshme, të pamundura nga të ardhura fiskale.
Pra, para se të pyeten për programe, kandidatët nga Berisha duhet të sqarojnë këtë ngërç, këtë pozicion aspak favorizues të tyre në raport me aleatin kryesor të Shqipërisë, i cili nuk pranon t’i njohë. Që do të thotë se dhe sikur qeveria qendrore të tregohej parimore në terma politikë, duke i mbështetur paçka të qënit kundërshtarë politikë, një direktivë e qartë amerikane nuk ia lejon këtë. Si i bëhet? Ndaj dhe këto zgjedhje s’janë çështje debati mes kandidatësh, siç kërkon deputetja Zhupa, por të një tjetër debati pa precedent të mëparshëm, siç është ai sgarimit të një “non grate” amerikane, qartazi në rivalitet inatçor me SHBA.
Dhe deri më tani, media nuk po ka inteligjencën minimale për ta kapur e konsumuar pikërisht këtë krejt “tjetërgjë” të këtyre zgjedhjeve. /sarandacity.al/