Kreu i komanduar i PD-së(asaj zyrtare), Enkelejd Alibeaj, ka marrë inisiativë të krijojë një lloj KOP-i, por jo me emra të rinjsh, siç ai i Berishës në 2005-ën, pak muaj para zgjedhjeve, pas së cilave do rivinte në pushtet, me efekt përcaktues pikërisht KOP-in(Komitetin e Politikave Orientuese).
Partia Demokratike themeloi të ashtuquajturin Këshill Euroatlantik, një organ këshillimor pranë saj.
Këshilli përbëhet nga: Edmond Trako, deputet i PD në legjislaturën e parë; Eduard Prodani, stundet i Dhjetorit, bashkëthemelues i forumit rinor të PDSH; Fatos Hoxha, ish-deputet i PD 2009-2013; Gjergji Hani ish-i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985; Marcel Hila, aktivist i degës së PD, Shkodër që në vitin 1990; Neli Demi, psikiatër, terapist; Nevila Nika, historiane, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit; Omer Stringa, profesor i ekonomisë, ish-dekan i Fakultetit Ekonomik; Preç Zogaj, themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare “RD”; Rushdi Keçi, profesor, ish-prefekt i Tiranës; Vasil Gjika, ish-deputet i PD-së, ’92-96.
Kryetar i Këshillit Euroatlantik do të jetë Preç Zogaj, një emër i traditës demokrate, por kurrë stabil me PD-në, edhe pse një ish-themelues i saj.
Alibeaj qartësi misionin e këtij organi të ri trupin e drobitur të PD-së, sidomos ndaj çarja më dysh në dy vite.
“Një nismë e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë pa dyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë”, theksoi Alibeaj, duke shtuar:
“Ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Gjithashtu Këshilli dhe anëtarët e saj do të kenë autorizimin e Partisë Demokratike të shpërndajnë kudo që munden, në media, në forume apo tavolina të ndryshme diskutimesh vlerat e Partisë Demokratike, kauzat e saj politike dhe orientimin e saj properëndimor”. /sarandacity.al/