Arrestimi i Fredi Belerit nuk po kalon lehtë, pasi Athina ka reaguar në nivel diplomatik, duke kërkuar që për këtë zhvillim të përgjigjet Ministria e Jashtme. Kjo, si nga ambasadorja greke në Tiranë Kostandina Kamitsi e si nga kryediplomati helen Nikos Dendias.
Por në një përgjigje “me spond” nga ana e Ramës për Athinën zyrtare, me shumë diplomaci thuhet se kjo është çështje dhe sfidë e drejtësisë, asaj që ka kryer arrestimin, nën akuzën e blerjes së votave.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!
Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruan Rama.
Çështja komplikohet nga fakti se Fredi Beleri ka qenë më u sulmuari nga Rama në gjysmën e dytë të fushatës e deri tani në fund, ku emri i tij është lakuar nga kryeministri dhe në tubimet jashtë Vlorës apo Himarës.
Fredi Beleri, një kandidat me njolla të rënda nacionaliste si filogrek, duke shpallur se do helenizojë Himarën, është i përzgjedhuri i dyshes Berisha-Metaj për në zonën e nxehtë të Bregut, aty ku heraherës ndizet ndonjë vatër e fërkimeve shqiptaro-greke.
Rama, në sulmet e tij ndaj Belerit është përpjekur ta ndajë atë si individ nga Greqia si vend mik, fqinj, e vëlla madje, sipas disa deklarimeve të tij, por duket se Athina nuk dëshiron ta bëjë këtë ndarje. Ajo po e trajton Belerin si “njeriun e saj”. /sarandacity.al/