Kryeministri Rama u shfaq rregullisht në studio televizive nga gjysma e dytë e fushatës e deri në fund të saj, duke iu përgjigjur qindra pytetjeve gazetareske, zakonisht pa fantazi e risi, dubluese të njëra-tjetrës.
Në do të shohësh një dramë në gazetarinë shqiptare, shih llojin e pyetjeve që u bëjnë kryesisht figurave politike, ku veçon Rama, të cilat gati janë copy-paste, gjë që e detyron kryeministrin të japë të njëjtat përgjigje sa në këtë e në atë media.
Grida Duma, brenda një patalenti të lindur për të qenë gazetare, siç e ka patalentin dhe në drejtime ku ajo mëton se është e talentuar, mëtoi se ishte risimtare duke shkuar te e shkuara e Ramës, ajo e viteve ’90-të, që dhe ajo është e stërkonsumuar.
Ndërsa një tjetër gazetare, e cila zakonisht ftohet vetëm nga Fevziu dhe e cila të vetmen përshtypje që le te shikuesi është e ajo të qënit dy-tre ore të parukierja para se të vijë në emision, edhe pse gjithnjë dështon me llojin e pyetjeve ndaj Ramës, vijon sërish të bëjë aso pyetjesh që e bëjnë në fund të mos flasë fare, por thjesht të merret me frizurën duke kaluar flokët pas veshit.
Ishin zgjedhje lokale, pra për menaxhim qytetesh, qytezazh apo fshatrash dhe nuk iu bë një pyetje që ka lidhje pikërisht me kontekstin e tyre ekonomiko dhe social.
Fjala vjen, askush nuk e pyeti të parin e qeverisë se çdo të bëhet me Ballshin, Memaliajn, Laçin, Fushë Arrëzin, Krumën, Kuçovën, Kavajën, Rrogozhinën, Peqinin, Patosin, Çërrikun, Përrenjasin, Maliqin, Rubikun e dhjetra të ngjashëm si këto, të cilat kanë humbur arsyet se pse ekzistojnë, pikërisht ato me të cilët mbaheshin në komunizëm. Janë qytete fantazma, pa asnjë lloj konteksti të ri ekonomik, ndryshe nga ai që iu kishte diktuar sistemi i djeshëm. Janë qytetet vegjetuese me pikëpyetje të madhe mbi arsyet e ekzistencës.
Nuk vlen aspak të thuash se duhet të merren me turizëm. Por dhe sikur të thuash, me ç’lloj turizmi?
Ato dikur ishin të varura nga industri e rëndë, nga ato që sigurojnë qindra vende pune. Tashmë, pa fronte të tilla punësimi, ato kanë mbetur gati të vdekura, vegjetuese.
Janë qytete të rilindura sipërfaqësisht, nga ndërhyrjet estetike urbane, por të asfiksuara thelbësisht, pra ekonomikisht.
Si shembull më i freskët mund të merret Ballshi, i cili humbi së fundi arsyen kryesore të ekzistencës: Rafinerinë. Ka humbur gjithashtu dhe rrugën kryesore automobiliste drejt jugut që i kalonte mespërmes. Aty s’kalon më as rruga për Bylis, pasi për te Parku po bëhet një e re dhe më e afërt nga ana e Poçemit, aty nga kalon dhe rruga e re.
Pra, në këtë realitet të ri, për çfarë duhet të vijojë jeta në Ballsh?
Po në Delvinë?
Le të ndalemi te Delvina. Ky qytet nuk është si Ballshi i ndërtimit socialist, siç dhe të tjerë të krijuar në kohën e komunizmit. 16 km larg Sarandës, Delvina është një histori e gjallë, dikur me një shkëlqim shumë më tepër se Saranda, por ç’prej me humbjen e rrugës në vitet ’80, duke qenë stacion drejt Tiranës, si pasojë e rrugës së re nga Syri i Kaltër për shkak të minierës së kripës, do niste ta humbte peshën e saj dalëngadalë. Tashmë ndodhet në një kolaps ekonomik e social, mbi të gjitha në dilema ekzistenciale.
“Përse ekziston?”, është pyetja dhe si duhet të ekzistojë.
Nuk dihet nëse emri i ri që do marrë drejtimin e bashkisë aty e ka një përgjigje, por nëse nuk e ka do jetë thjesht një drejtues i radhës në krye të saj, pa mundur dot ta nxjerrë nga zgripi ku ka rënë.
Ja, këtu duhet kapur Rama, për ta detyruar të përgjigjet për gjëra thelbësore e me peshë për fate jetësore të së tashmes e së ardhmes e jo për gjëra të stërthëna e sipërfaqësore për të cilat ai zgjedh batutën.
Media ankohet për Ramën, se prej tij nuk merret përgjigjet që do, duke mos e kuptuar se nuk bën as ajo pyetjet që duhen. Kjo, sepse studiot janë pushtuar nga emra jetëgjatë në media, por jo domosdoshmërisht profesionistë. /sarandacity.al/