Me takime në Sarandë, në kuadër të turit të falenderimeve, kryeministri Rama sulmoi atë që e quajti institucion turpërues në nivel lokal.
“Dhe këtu kemi probleme si në rastin e Kadastrës që është bërë në disa vende pasqyra e turpit të PS-së. Njerëz që kanë vajtur të punojnë në Kadastër me emrin socialist dhe e kanë bërë zhele flamurin e PS-së kanë nëpërkëmbur kontributin, besimin, mbështetjen dhe investimin e qindra mijëra të tjerëve që votojnë PS-në”, theksoi ai.
Rama konsideroi si domethënëse fitoren e 14 majit, por u shpreh se është po ashtu edhe një sfidë e madhe.
Kjo, sipas tij, “është domethënëse për pritshmërinë e madhe të njerëzve nga PS”.
“Gjëja më e rëndësishme për ne që udhëheqim është të kuptojmë se vota e 14 majit nuk është shprehje e një kënaqësie të madhe të njerëzve në raport me qeverisjen tonë në rang kombëtar apo vendor. Njerëzit nuk kanë votuar ashtu se janë shumë të kënaqur nga puna jonë. Kanë votuar ashtu pavarësisht se janë të pakënaqur se presin më shumë nga ne”, shtoi ai.
Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë që të jenë të njerëzishëm me të gjithë qytetarët dhe që bashkitë të jenë dera e parë e hapur për çdo qytetar. /sarandacity.al/