Kur shohim një shitëse lulesh në rrugë që shet buqeta modeste gjatë gjithë ditës, mendojmë se jeta e saj është e vështirë, por ja që në fytyrën e saj dallojmë gëzim. Ajo shprehet e kënaqur që me shumën e vogël të parave do të mund të përballojë vetes dhe familjes atë që kanë nevojë: ushqim dhe disa gjëra të vogla. Përkundrazi, fytyrat e të pasurve dhe të famshëmve shpesh tregojnë pakënaqësi dhe shqetësim.
Ku qëndron problemi? Në përvojën tonë të lumturisë. Shkencëtarët prej vitesh pohojnë se njerëzit më të lumtur në botë janë finlandezët, danezët, islandezët dhe holandezët.
Vendet skandinave u bënë shtete të mirëqenies shumë kohë më parë, por siguria sociale nuk është e vetmja gjë që i ndan nga pjesa tjetër e botës.
Ata kanë mësuar shumë kohë më parë se ndjenja e kënaqësisë nuk vjen nga blerja, pasuria, konkurrenca dhe fama, por nga ato gjëra të vogla, të përditshme.
Pra, pse nuk jemi të gjithë të tillë? Sepse ne ndjekim atë që nuk sjell lumturi.
Finlandezët
Ata e duan jetën. Është një vend i ftohtë, me pak diell dhe çdo ditë me diell njerëzit e kalojnë jashtë, në shoqëri. Në ngrohtësinë e shtëpisë, ata janë të përkushtuar për të përgatitur ushqimin, për të luajtur me fëmijët e tyre dhe për të kaluar kohë me bashkëshortët. Në Finlandë, nuk ka dallime të mëdha në të ardhura mes qytetarëve. Ata nuk janë shumë të interesuar të bëhen të famshëm. Çdo finlandez jeton një jetë normale dhe të rehatshme ku paguan faturat dhe blen gjërat e nevojshme pa shumë stres. Askush nuk e ka zili askënd, as nuk i vë gishtin atij që ka më shumë. Nuk janë të fiksuar as pas punës, kanë tetë orë pune dhe nuk e çojnë punën në shtëpi. Përkundrazi, privatësia dhe familja janë më të rëndësishme për ta sesa gara për pasuri. Mësimi që ata i japin botës është: Gjërat e mëdha janë të parëndësishme, ndërsa gjërat e vogla janë vendimtare!
Danezët
Mbretëria e vogël me vetëm 5.6 milionë banorë i përket një prej vendeve me qytetarët më të barabartë në planet, me mbrojtje sociale të shkëlqyer, shkallë të ulët krimi dhe qytetarë që kanë besim të madh tek institucionet shtetërore dhe tek njëri-tjetri. Danezëve nuk u intereson kush çfarë pozicioni zë në shoqëri, nëse dikush është mjek apo mbledhës i plehrave.
Për turistët, përditshmëria daneze duket joreale: apartamentet shpesh nuk mbyllen gjatë ditës, prindërit lënë karroca me foshnjat para dyqaneve gjatë blerjeve dhe shitësit me pakicë mendojnë se nuk kanë nevojë për kamera sigurie. Edhe në banka rrallë sheh roje. Danezët janë të kënaqur me gjërat e vogla. Fjala më e zakonshme që dëgjohet mes tyre është “hygge” – e përkthyer lirshëm: gëzim, kënaqësi. Ata e përdorin atë në çdo rast dhe gjithçka mund të jetë e mrekullueshme: një ditë në natyrë, një darkë me miqtë, një xhiro me biçikletë, shikimi i një filmi, një pije në një bar… Mësimi nga Danimarka është: Sa herë që mundeni, merrni kohë për të shijuar veten dhe për të kuptuar rëndësinë e besimit!
Islandezët
Qytetarët e këtij ishulli janë të fiksuar pas krijimtarisë. Çdo i dhjeti islandez ka botuar të paktën një libër gjatë jetës së tij. Është e pabesueshme se sa shumë kujdesen për krijimtarinë dhe realizimin e tyre në fushat artistike. Të lësh gjurmë në formën e një vepre në Islandë është rregull, jo përjashtim. Kjo i dallon ata nga të gjithë popujt në botë që këtë segment të jetës ia kanë nënshtruar parasë dhe blerjes së mallrave. Në Islandë, krijimtaria dhe talenti zhvillohen dhe janë më të rëndësishme se çdo profesion. Nuk janë hobi, por ka shumë punë artistike. Mësimi nga Islanda është: Lumturia krijohet, nuk fitohet!
Thelbi i një jete të lumtur
Nga këto përvoja mund të mësojmë se lumturia e shumëdëshiruar nuk është aty ku e kërkojmë më shpesh: në garën kaotike për para. Cili kilogram është më shumë, cili metër katror është më pak, kujt i intereson? Nëse jemi të rrethuar nga ata që duam, nëse jemi të shëndetshëm, nëse mund të vrapojmë, të lagemi, të luajmë, të mbledhim lule të egra, të bëjmë banja dielli në park, të shijojmë një filxhan çaj, një libër, një film, të hamë tortë, të kemi marrëdhënie të mira me familjen, miqtë, kolegët dhe fqinjët… epo, atëherë këto gjëra të vogla bëhen thelbi i jetës, nëse kanë në thelb dhe besimin në Zot. /sarandacity.al/