Një i huaj, më saktë suedez, që kaloi një kohë në Shqipëri, ka renditur ca nga të metat tona.
Fjala është për bashkëshortin e ambasadores Elsa Håstad, Christof Landor, një shkrimtar.
Ai ishte i ftuari i radhës në Podcast-in e Ramës, ku tha: “Jeni njerëz me zemër të ngrohtë dhe miqësorë. Por më krijohet përshtypja që jeni shumë miqësorë me të huajt por jo me njëri-tjetrin.
Problem më i madh në shoqërinë shqiptare është mungesa e besimit në të gjithë nivelet, mes individëve, institucioneve e shoqërisë. E ndjen këtë në jetën e përditshme, si fjala vjen trafik, ku secili do të kalojë i pari.
Është dhe pakujdesia me mjedisin, plehrat”, veçoi ai.
Megjithatë, në një qasje më romantike dashamirëse, ai tha: “Ajo që do të marr me vete kur të kthehem në shtëpi është se gjërat më të mira të Shqipërisë janë absolutisht, pa asnjë hezitim shqiptarët. Nuk ka diskutim.
Malet janë fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, vreshtat, deti, zogjtë e të tjera, por për mua janë shqiptarët. Shumë shpesh kjo i befason shqiptarët. Ju jeni njerëz të ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar dhe të rrish me ju është argëtuese”, tha Landor. /sarandacity.al/