Turfullonte me të drejtë një person në sapodaljen nga Bashkia “e re”, pasi për të dytën ditë radhazi veshët e tij ishin ballafaquar me frazën e tmerrshme të administrave infantile “Hajde nesër”.
“Hajde nesër” është treguesi jo thjesht i pandjeshmërisë së shërbyesit publik, në fakt shërbëtorit publik, por dhe i shumëçkaje nuk shkon si në praktikat e si në moralin e punës. Ditën që nga goja e atyre shërbëtorëve që punojnë në administratë shtetërore, më saktë në Bashki, në atë të Sarandës në rastin konkret, nuk do dalë fraza stresuese e acaruese “Hajde nesër”, mund të thuhet me plot gojën se një tjetër erë po fryn aty, ledhatuese dhe jo fshikulluese.
Personi që po e vuante për të dytën ditë radhazi frazën “Hajde nesër”, thënë nga një prej zyrave më të trokitura në Bashki, gjykonte se rasti i tij ishte tipik për t’u “zgjidhur sot” e jo “nesër”. Por shefit i kishte dalë një punë dhe nuk ndodhej aty. Shefit mund t’i dalin shumë punë e mos jetë me ditë aty, por për këtë nuk ka pse paguan qytetari, ai që pret të marrë shërbimin. Praktikat e punës duhet të jenë në tilla që një zyrë të funksionojë “si sahat” dhe pa shefin prezent.
Por kur do të ndodhë kjo? Kur shefat e vartësit e tyre ta kuptojnë se nuk janë shefa por shërbëtorë, të cilët lipset të jenë të përulur ndaj atyre që jua kanë dhënë votën, por nëse jo votën, paguajnë taksat për të marrë shërbimin prej tyre.
“Hajde nesër” përkthehet ndryshe si të moskuptuarit e thelbit të detyrës. Një përgjegjshmëri e lartë, ku gërshëtohet aftësia, shdërvjelltësia e skrupuloziteti, eliminon automatikisht frazën edhe fyese madje “Hajde nesër”, duke ia zgjidhur sot qytetarit hallin që ka, aq më tepër që halli që ka është respektimi i ligjit e jo hall për të cilin duhet lypur. Të tillë e kishte hallin personi në fjalë, një mesoburrë dhe invalid, i cili kish shkuar te shteti për leje mbi një veprim që i duhej të respektonte ligjin.
Sepse “Hajde nesër” të qytetari përkthehet si një ditë e humbur në punët e tij, ku ka të ardhurat e tij, ku një përqindje, në formë taksash, shkon për shërbëtorët e tij, ku më e pakta nuk duhet t’i thonë “Hajde nesër”. /sarandacity.al/