Në një fjalëmbajtje publike nga kryeministria për të sqaruar votën pro heqjes së imunitetit për Arben Ahmetajn, kryeministri Rama shpjegoi “pse”-në e votës pro socialiste, krahasimisht me rastin e Saimir Tahirit, ku PS nuk e dha autorizimin e saj për arrestim.
“Nuk më takon mua të them nëse është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë kur kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar, pasi akuza ishte formuluar nga leximi i gazetave të mëngjesit, kjo e sotmja duhet të autorizuar pa asnjë dyshim. Na u vu para dosja e një punë voluminoze hetimore. Ajo dosje krijon dyshime të mjaftueshme që mos ta ndalojmë SPAK. Është në dorë të drejtësisë nëse është një rast fajësie apo pafajësie”, tha Rama.
Ai potencoi dhe njëherë atë qe konsideron kauzë morale të qeverisjes, duke thënë se “unë nuk pajtohem dot me askënd që abuzon këtë besim duke kthyer mandatin e shqiptarëve dhe besimin tim në mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin. Jam gati të mbaj baltën që kundërshtarët më hedhin, por nuk kam qenë dhe nuk jam kurrë të mbaj në shpinë askënd që e kujton shtëpinë e madhe kurrizin e një kali që mund ta kalërojë”.
Ndaj, Rama përcolli dhe njëherë mesazhin se si e sheh ai zgjidhjen e sëmundjes së korruptimit në forcën e tij.
“Përsëris edhe një herë sot për familjen politike atë që e kam thënë disa herë më parë dhe stërthënë qyshherë në këtë godinë se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë që bën dy punë edhe me shtetin edhe me xhepin merr përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua as me ne, por duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti apo kur i bie derës para drejtësisë.
Ua them troç, dhe e rithem publikisht: nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar kur ai lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët por bashkëpunëtorin e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne në këtë rrugë”. /sarandacit.al/