Eurodeputeti grek Manolis Kefalogianis zbarkoi në Himarë për Fredi Belerin, duke kërkuar me patjetër lirimin e tij. Sipas tij, kështu siç po veprojnë autoritetet shqiptare me të zgjedhurin e Himarës për kryebashkiak, do ketë pasoja për Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE.
Por ndërsa kjo tezë tashmë është bërë dhe pak parazitare, deri dhe e mërzitshme, njeriu i Athinës përcolli mesazhe me valencë të lartë nacionaliste, tejet të diskutueshme, duke vulosur të qënit greke të Himarës e të himariotëve si grekë.
“Dua t’ju them se himarjotët janë në zemrën e të gjithë grekëve, mbi të gjitha të parit të tyre, Mitsotakis. Kreministri ju shpreh respektin e tij më të madh për qëndresën që ju po bëni në këtë çështje. Nuk harrojmë që në vitet e vështira, në regjimet strikte të Shqipërisë, himarjotët ditën të thoshin ‘jo’. Të gjithë e dinë historinë e Himarës dhe luftën që kanë bërë himarjotët. Dimë forcën e shpirtit të tyre. Kjo është gjëja që duhet për të çuar këtë çështje përpara”, tha ai, duke kundështuar më pas veten.
“Këtu sot nuk kemi ardhur për të treguar historinë, këtu kemi ardhur për të diskutuar, zgjidhur çështjen e Fredi Belerit”, tha politikani grek, duke cituar Belerin ti ketë thënë: “Do të luftoj për të drejtat e Himarjotëve, të cilët e meritojnë të gjithë këtë sakrificë që ai po bën. Beleri më tha gjithashtu se jam gati të qëndroj në burg aq sa duhet, për të përfaqësuar interesat e tyre, kur e drejtësia të fitojë dhe ai të lirohet, për të qenë kryebashkiaku juaj”. /sarandacity.al/